Privatizimi i Kompanisë së Distribucionit dhe Furnizimit me Energji Elektrike (KEDS) duket se është mjaft atraktiv për kompanitë ndërkombëtare. Në fazën e shprehjes së interesit pesë kompani kishin shprehur interes për të marrë pjesë në tenderin për privatizimin e KEDS-it. Ndërkaq në fazën e parakualifikimit, trembëdhjetë kompani kanë marrë dosjen e dokumenteve për parakualifikim.
Zyrtarët të cilët e menaxhojnë projektin për Privatizimin e Distribuimit dhe Furnizimit të Energjisë Elektrike kanë thënë se më 25 janar është publikuar ftesa për parakualifikim, e cila do të jetë e hapur deri më 18 mars. “Janë 13 kërkesa që supozohet se janë bërë nga kompani ndërkombëtare, që deri të premten kanë kërkuar dosje. Shpresojmë që deri më 18 mars do të rritet numri i kompanive të interesuara për t’u parakualifikuar”, kanë thënë zyrtarët.
Gjatë vitit të kaluar, në fazën e shprehjes së interesit 5 kompani kishin shprehur interes për privatizimin e KEDS-it. Interes kishin shprehur tri kompani nga Turqia (Limak, Çalik dhe Park Holding), një kompani nga Egjipti (ELSWEDY) dhe një kompani italiane (G.C.L Srl). Gara për privatizimin e KEDS mbetet ende e hapur.
Privatizimi i KEDS-it pritet ta përmirësoj sistemin e shpërndarjes së energjisë elektrike në Kosovë. Privatizimi i aseteve tjera energjetike do të kishte efekte pozitive në rritjen e cilësisë dhe uljen e çmimeve. Me qenë se energjia elektrike është parakusht infrastrukturor për përmirësimin e ekonomisë, privatizimi i tyre bëhet edhe më i rëndësishëm.
ECIKS