Tregtia e lirë mes Kosovës dhe Shqipërisë me vlerë modeste

Që prej fillimit të zbatimit të marrëveshjes për tregti të lirë mes dy vendeve, Kosova ka eksportuar në Shqipëri mallra me vlerë prej 3,5 milionë euro, ndërsa Shqipëria në Kosovë mallra në shumën 25 milionë euro

Prishtinë, 16 mars 2005 – Marrëveshja për tregti të lirë mes Kosovës dhe Shqipërisë ka pasur më shumë një vlerë juridike për Kosovën – që nuk lejohej të nënshkruante marrëveshje për shkak të mungesës së statusit- që ka ndikuar në një rritje reale të biznesit në mes dy vendeve. Mallrat e përfshira në MTL nuk kanë patur ndryshime të rëndësishme në volum tregtar, pavarësisht rritjes së fortë të tregtisë mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Shqipëria është vendi i parë që ka nënshkruar Marrëveshje për Tregti të Lirë me Kosovën si dhe kanw eleminuar taksat e dyfishta. Vendet e tjera të rajonit, deri më tani kanë hezituar të nënshkruajnë marrëveshje me Kosovën për shkak të presionit politik nga Serbia.
Shqipëria dhe Kosova, duket se nuk kanë çfarë t’i eksportojnë njëra-tjetrës, ose edhe atëherë kur e bëjnë këtë, mallrat që shkëmbehen janë me origjinë nga vendet e tjera, kështu që klasifikohen si rieksporte. Pengesë të madhe në shtimin e shkëmbimeve tregtare në mes dy vendeve paraqet edhe infrastruktura e keqe.
Sipas shifrave të Shërbimit Doganor të Kosovës, 15 muaj pas hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshjeje- nga tetori i vitit 2003 deri më 31 dhjetor të vitit 2004, Kosova ka eksportuar në Shqipëri mallra me vlerë 3,5 milionë euro, ndërsa Shqipëria në Kosovë mallra në shumën 25 milionë euro.”Nuk mund të thuhet se nuk ka rritje, sepse realisht, ka. Duke parë vlerat, vërtetë ato janë të vogla, por me përqindje janë solide”, thotë Mustafë Ibrahimi, nënkryetar i Odës Ekonomike të Kosovës. Sipas tij, problemi më i madh për shtimin e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve është infrastruktura e keqe. Ai nuk pranoi tezën se të dy vendet nuk kanë çfarë t’i eksportojnë njëri-tjetrit. “Jo, realisht kemi mundësi të eksportojmë disa produkte, por infrastruktura është shumë e keqe. Nëpër rrugën që lidh Kosovën me Shqipërinë katër muajve të dimrit nuk mund të qarkullohet”, ka vijuar nënkryetari i Odës Ekonomike të Kosovës.
Shifrat e shkëmbimit tregtar ndërmjet dy vendeve pohojnë gjithashtu rritje të qarkullimit. Sipas një analize të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, shkëmbimi tregtar i Kosovës me Shqipërinë gjatë nëntëmujorit të parë të zbatimit të MTL arrin vlerën 10,9 milionë euro. Eksporti është në vlerë prej 1,4 milionë eurosh, ndërsa importi 9,5 milionë euro.
“Shihet se ka një rritje në shkëmbimin tregtar gjatë nëntëmujorit të parë të implementimit të MTL-së në krahasim më të njëjtën periudhë para arritjes së marrëveshjes. Eksporti i Kosovës me shifra në këtë periudhë është rritur 11 për qind, ndërsa importi nga Shqipëria është 87,4 për qind më i madh”, thuhet në analizën Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë për nëntëmujorin e parë të implementimit të tregtisë së lirë në mes dy vendeve. Duke vështruar në total eksportet dhe importet e dy vendeve, qartazi shihet se Kosova ka rritur me 1 për qind importet nga Shqipëria krahasuar me një vit më herët, ndërsa i ka zvogëluar eksportet e veta ta pakta në Shqipëri, nga 5 për qind në vitin 2003, në 3 për qind në 2004.
Eksporti i Kosovës për në shtete e tjera në total ishte vetëm 56 milionë euro, ndërsa importi 1 miliard e 63 milionë euro. Rritja e eksportit, krahasuar me 2003, ishte 59 për qind, ndërsa importi po ashtu është rritur me 9,25 për qind, ndërsa deficiti tregtar kalon shifrën 1 miliard euro.

Shkëmbimin i mallrave Kosovë- Shqipëri
Eksporti Kosovë Shqipëri: 3,5 milionë euro
Eksporti Shqipëri- Kosovë: 25 milionë euro
Bilanci tregtar Kosovë- Shqipëri: -21,5 milionë euro
Bilanci i tregtisë i Kosovës 2004
Shkëmbimi i mallrave i Kosovës me botën
Eksporti i Kosovës në total: 56 milionë euro
Importi i Kosovës në total: 1,063 miliardë euro
Bilanci tregtar në total: 1, 007 miliardë euro

ECIKS / Biznesi