Kosovë: 100 milionë euro deficit në 2005

Sipas drejtorit të FMN-së në Kosovë, Mark Auboin, deficiti buxhetor për vitin 2005 prashikohet të arrijë në shumën e 100 milionë eurove, shifër kjo më e ulët sesa ajo e një vit më parë

Prishtinë, 17 mars 2005 – Vitin e kaluar buxheti i konsoliduar i Kosovës doli me një deficit prej 140 milionë eurosh dhe po 100 milionë euro deficit pritet të dalë edhe këtë vit, sipas paralajmërimeve të drejtorit të zyrës në Prishtinë të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Mark Auboin. “Do të kemi një deficit prej 100 milionë për 2005, që do të thotë se buxheti i 2006 do të jetë shumë delikat sepse do të mungojnë paratë ekstra për t’a mbuluar këtë deficit”, paralajmëroi Auboin. Këtë deklaratë ai e dha në kuadër të pyetjeve që iu shtruan atij për buxhetin e Kosovës, pas një seminari që u mbajt nën organizimin e tij, ministrit të Ekonomisë dhe Financave, shefit të BPK-së dhe atij të Shtyllës së Katërt të UNMIK-ut për gjetjen e mundësive për zhvillim ekonomik.

Sipas tij, bilancet e akumuluara apo suficiti, në mënyrë shumë të shpejtë ka filluar të shpenzohet dhe sektori qeveritar në Kosovë nuk siguron më kursime.” Buxheti është duke punuar në deficit dhe rrezikohen shpenzimet afatmesme. Kjo mund ta cojë Kosovën drejt një krize pasi ky vend ka një ekonomi të hapur” potencoi ai. Por ky qëndrim i drejtorit të FMN-së nuk është mbështetur nga ministri i Ekonomisë dhe Financave të Kosovës, Haki Shatri. ” Ne si qeveri kemi një qëndrim më optimist dhe nuk shohim vetëm një segment të buxhetit. Ne vlerësojmë se ka hapësirë të rriten të ardhurat, norma e tatimeve dhe të zgjerohet baza e tatimeve”, pohoi ministri Shatri, por njëkohësisht duke përjashtuar rritjen e tatimeve.

FMN reagoi shumë ashpër ndaj draftit të parë të buxhetit të Kosovës, duke paralajmëruar falimentim financiar të qeverisë së Kosovës. Sipas drejtorit të FMN-së, drafti i parë i qeverisë ka qenë që buxheti për 2005 të jetë mbi 800 milionë euro, por pas reagimeve të ashpra, UNMIK-u dhe qeveria e Kosovës u pajtuan që ta zbresin, të paktën, me 100 milion euro.

Ndërkohë që shefi i Shtyllës së Katërt të UNMIK-ut, Jokahim Rycker shprehet se shkaqet ligjore, politikat bankare dhe çështjet e besushmërisë kanë ndikuar negativisht përsa i përket këtyre fondeve.

ECIKS / Biznesi