Samsung shtyn privatizimin e Ferronikelit

Përcaktimi i çmimit të energjisë elektrike dhe çështja e pronësisë së tokës përreth janë bërë pengesë për procesin e privatizimit të kompleksit industrial Ferronikel në Kosovë

Prishtinë, 16 mars 2005 – Është shtyrë përsëri privatizmi i Ferronikelit, kompleksit të dytë industrial më të madh në Kosovë, pas atij të Trepçës, për shkak të moszgjidhjes së problemit për çmimin e energjisë elektrike.
Shtyrja e privatizimit të tij, siç është mësuar jozyrtarisht, është bërë pas kërkesës së kompanisë së njohur Samsung, ndërkohë që Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM) përmes një komunikate për shtyp ka deklaruar se këtë vendim e ka marrë me qëllim që t’u sigurojë më shumë kohë investitorëve potencialë në lidhje me çmimin dhe furnizimin me energji elektrike për Ferronikelin. “Janë disa çështje të pazgjidhura për privatizimin e Ferronikelit”, deklaroi drejtori i Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit, Jasper Dick, pasi, sipas nesh, nuk janë plotësuar të gjitha kushtet për ta shitur këtë ndërmarrje me pronësi shtetërore. Dick ka përmendur dy probleme kyçe si pengesa për privatizimin e Ferronikelit. “Problemi kryesor është furnizimi me energji elektrike, për të cilin ende nuk është gjetur një kompromis rreth çmimit të energjisë që i nevojitet Ferronikelit. Kurse problemi i dytë lidhet me pronësinë e saj”.
Sipas AKM-së, dita e dorëzimit të ofertës së parë është shtyrë për në 27 prill, kurse oferta e dytë, e cila ishte caktuar për në 13 prill, është shtyrë për në 11 maj. Në tender marrin pjesë katër kompani që janë Samsung, Nikomed, Alferon dhe Adi-Nikel. Korporata Elektoenergjetike e Kosovës ka ofruar çmimin prej 40 euro për 1 megavat në orë (Mwh) energji ndërsa ofruesit e mundshëm kanë qenë gati të paguajnë vetëm 25 euro për megavat. Ndërsa për sa i përket pronësisë së këtij kompleksi pengesë janë bërë disa persona që pretendojnë se e kanë pronë të tyre hapësirën rreth Ferronikelit, e cila është nxjerrë në shitje nga AKM-ja. Kadastra, nga ana e saj deklaron se ende nuk ka vërtetuar pronësinë e kësaj toke.

ECIKS / Biznesi