Tirana bëhet me bursë tregtare

TIRANË, 04 KORRIK 2003 – Duke filluar nga dje, ambienti ekonomik në Shqipëri bëhet me treg kapitalesh. Bursa e Tiranës linja më e re e tregut financiar, dje ka marrë lejen përfundimtare, duke i dhënë asaj statusin ligjor për blerjen dhe shitjen e aksioneve te sipërmarrjeve. Komisioni i Letrave me vlerë, autoriteti licensues i tregjeve të kapitalit dhe fondeve të investimeve vendosi gjatë një mbledhje të posaçme dje në orët e drekës për ligjërimin e Bursës së Tiranës, si treg i letrave me vlere. Me këtë akt formal Shqipëria deri tani i vetmi vend pa burse në Europe hyn në rradhen e vendeve, ku tregjet e kapitaleve janë promotore të zhvillimeve ekonomike. Kështu qysh nesër bizneset shqiptare dhe të gjithë përdoruesit e letrave të tjera me vlerë do të kenë një treg të ligjëruar për t’i shitur dhe blere ato. Ndonëse, kushtet reale për të krijuar mundësitë e tregtimit normal të aksioneve janë thuajse të pamjaftueshme. Drejtuesit kryesor të institucioneve financiare në vend tashmë e kanë deklaruar se, sipërmarrjet shqiptare të të gjitha niveleve operojnë me dy bilance, duke i’u fshehur fitimit real të tyre prej organeve tatimore. Në këtë situatë kuotimi i tyre në bursë bëhet disi i pamundur, kur në të gjithë botën dihet se, transparenca në tregjet e kapitaleve është maksimale, ndërkohe që ambienti ekonomik vendas, duket se, është i papërgatitur në këtë drejtim.

Gjithsesi, krijimi i bursës si treg legal është pritur me dashamirësi nga disa shoqata biznesi e sidomos bankierët, të cilët shpresojnë se në një kohë jo shumë të largët bursa do të ketë vendin që i takon në ekonominë shqiptare. Deri tani funksionet e saj janë kryer në tregun e zi. Kompanitë shqiptare kanë realizuar blerjen dhe shitjen e aksioneve në zyra noterie. Në një botim periodik të Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike, bëhet e ditur se janë shitur në tregun e zi më shumë se 4 milionë aksione ndërmjet kompanive. Të cilat janë zhvendosur ndërmjet tyre pa patur parasysh çmimet reale dhe vlerësimet e specializuara. Krijimi i një tregu aktiv kapitalesh në këtë situatë do të sillte një kanalizim të tregut të zi në rrugë ligjore, mirëpo kjo nuk do të ndodhë edhe për do kohë, pasi biznesi shqiptar i interesuar për këtë treg ende nuk është i informuar për rregullat dhe për të mirat që sjell bursa në aktivitetin e tyre. Shumë prej kompanive mësohet se nuk plotësojnë kushtet për listim, përsa i përket mënyrës së administrimit. Pasi ende në pjesën dërrmuese të tyre dominon një pronar, ndërkohë që listimi në bursë kërkon shoqëri aksionere.

Megjithëkëtë situate disi të pafavorshme për funksionimin real të tij, tregu i kapitaleve në të ardhmen do të jetë një hallkë e fuqishme e tregut financiar që do të realizojë në mënyrën më të shpejtë kreditimin e ekonomisë, duke realizuar në kohë rekord kalimin e suficiteve tek deficitet.

ECIKS/KORRIERI