Prishtinë, 17 gusht 2004 – Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm, duke vepruar me kërkesë të Qeverisë dhe duke u bazuar në propozimin e Kryeministrit, shpalli Urdhëresën administrative për themelimin e Zyrës për Proceset e Integrimit Evropian (ZPIE) në kuadër të Zyrës së Kryeministrit. Kjo zyrë është paraparë të veprojë nën autoritetin politik të Kryeministrit.
Zyra për Proceset e Integrimit Evropian do të koordinojë aktivitetet qeveritare në fushën e përafrimit me normat dhe standardet e BE-së si dhe në raport me pjesëmarrjen e Kosovës në Procesin e Stabilizim Asociimit. ZPIE do të bashkërendojë aktivitetet në vijim:
• Formulimin e propozimeve për avancimin e aktiviteteve të Qeverisë me qëllim të përafrimit të normave dhe standardeve me ato të BE-së;
• Do të mbikëqyrë zhvillimin dhe zbatimin e programit të përgjithshëm të Qeverisë në përafrimin me standardet relevante të BE-së;
• Do të përcjellë rekomandimet brenda Planit të Standardeve për Kosovën dhe Mekanizimit Përcjellës të Procesit të Stabilizim Asociimit përmes koordinimit me ministritë kompetente dhe sipas nevojës me UNMIK-un;
• Lehtësojë procesin e zbatimit të standardeve për Kosovën me qëllim të arritjes së pajtueshmërisë me standardet e BE-së në bashkëpunim me zyrtarët relevante dhe ministritë kompetente;
• Monitorojë zhvillimin e legjislacionit dhe politikën e BE-së me rëndësi për pjesëmarrjen në PSA dhe në zbatimin e standardeve për Kosovën si dhe do të këshillojë Kryeministrin dhe Qeverinë për këtë.
Zyra për Proceset e Integrimit Evropian poashtu do të formulojë propozime për zhvillimin e kapaciteteve të Qeverisë për harmonizimin e ligjeve dhe kontrollimin e pajtueshmërisë me acquis communautaire (legjislacionin e BE-se) duke përfshirë edhe propozimet për lëmitë prioritare në harmonizimin e ligjeve. Zyra në fjalë do të udhëheqë kërkime në lëmin e politikës dhe zhvillimeve të BE-së, do të përgatit pako udhëzuese për Kryeministrin dhe Qeverinë dhe do t’i njoftojë ata për PSA dhe zhvillimet e BE-së si dhe do të udhëheq programe aftësimi mbi PSA për personelin e zyrës dhe nëpunësit e tjerë civil në bashkëpunim me MSHP.
Përgjegjësi tjetër e zyrës është poashtu organizimi dhe bashkërenditja e përkthimeve të ligjeve dhe dokumenteve relevante të BE-së dhe shqyrtimin i përkthimit të ligjeve dhe dokumenteve të IPVQ-ve me qëllim që përkthimet të jenë konsistente me terminologjinë standarde të BE-së dhe fjalorin e acquis communautaire.
Zyra për Proceset e Integrimit Evropian do të plotësohet me nëpunës civil të cilët do të jenë nën autoritetin administrativ të Sekretarit të Përhershëm të Zyrës së Kryeministrit.
Struktura e zyrës përfshin 7 njësi të cilat janë përgjegjëse për:
• Çështjet administrative të zyrës
• Zbatimin e elementeve të BE-së për standardet për Kosovën
• Menaxhimin e MPS
• Harmonizimin legjislativ me normat dhe standardet e BE-së
• Planifikimin dhe bashkërendimin e krijimit të politikave
• Shërbimet e informimit, aftësimit dhe përkthimit dhe
• Programet e ndihmave
ECIKS / Zyra per Informim Publik e Kryeministrit