Prishtinë, 17 gusht 2004 – Kryeministri i Qeverisë së Kosovës, Bajram Rexhepi priti dje në një takim të vecantë shefin e ri të misionit të OKB-së në Kosovë, Soren Jesen Petersen.
Pas këtij takimi kryeministri Rexhepi dhe kryeadministratori Petersen janë pronocuar për media.
Kryeministri Bajram Rexhepi: Sot kishim kënaqësinë ta takonim kryeadministratorin e ri të Kosovës, z. Soren Petersen, me të cilin kemi pasë kontakte edhe më parë në funkcione të ndryshme. Pra, ne njihemi relativishtë mirë.
Me z. Petersen diskutuam shumë çështje prioritare të Kosovës në këtë moment. Njëra prej tyre është që në tetor të kemi zgjedhje të lira e demokratike. Në këtë kuadër, diskutuam për mundësinë se si të inkurajojmë edhe komunitetin serb që të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe kjo e ka vlerën e vet.
Veç të tjerash, biseduam për sfidat dhe për cështjet ekonomike, respektivisht për nevojën e krijimit të vendeve të punës. Gjatë javës së ardhshme do të dalim me disa projekte konkrete për punësim, janë edhe disa projekte që jemi duke punuar së bashku me UNDP-në.
Gjithashtu, biseduam edhe për transferin e kompetencave se si do të shkoj dhe si do të vazhdoj me standardet për Kosovën dhe si do ta rrisim funkcionalitetin e strukturave të UNMIK-ut edhe të institucioneve të Kosovës. Do të ndërtojmë një bashkëpunim shumë më të mirë se gjer më tani, në mënyrë që t’ i kthehet kredibiliteti edhe i UNMIK-ut dhe i institucioneve Kosovare në sytë e qytetarëve të Kosovës.
Unë shpresoj, duke njohur personalitetin e zotit Petersen, se nuk do të mungoi angazhimi i tij dhe as i imi që të bëjmë një përparim evident që këto sfida që gjenden para nesh t’i tejkalojmë në mënyrë më të mirë. Shpresoj se do të kemi një bashkëpunim shumë të ngushtë. Edhe një herë i deshiroj mirëseardhje në Kosovë.
Kryeadministratori Soren Jesen Petersen: Me Kryeministrin biseduam për tema dhe për çështje prioritare, për të të cilat deshiroj të punojë në partneritet të ngushtë me Kryeministrin dhe Institucionet e Kosovës.
Siç e dini, unë kam patur kënaqësi dhe privilegj që të takoj z. Rexhepi në funksionet tona të mëparshme. Nga biseda jonë u bë e qartë se unë dhe Kryeministri i Kosovës mendojmë që të injektojmë një ndienjë të re të energjisë së domosdoshmerisë dhe urgjencës në rrugën tonë drejtë ecjes përpara në këtë agjendë që qëndron para nesh. Zgjedhjet e ardhshme janë test tjetër për institucionet e Kosovës. Në të kaluarën ato janë organizuar me sukses. Me këto zgjedhje po afrohet edhe periudha e vlerësimit të diskutimit për statusin e Kosovës. Këto do të tregojnë autoritetin dhe gatishmërinë e institucioneve kosovare para bashkësisë ndërkombëtare, lidhur me atë se si do të organizohen zgjedhjet parlamentare. Pajtohem plotësishtë me Kryeministrin se është jashtëzakonishtë me rëndësi që të gjitha komunitetet të marrin pjesë në një proces kaq të rëndësishëm demokratik siç janë zgjedhjet e tetorit.
Para zgjedhjeve do të preken çështje që janë shumë të rëndësishme për të ardhmen e Kosovës. Bëhet fjalë për ekonomin, sigurinë, mbrojtjen e pakicave.
Po kështu, diskutuam çështje tjera prioritare, përshpejtimin e procesit të përmbushjes së standardeve. Standardet janë të atilla që secila pjesë e Evropës duhet t’i përmbushë. Me të ecur drejtë normalizimit, stabilizimit dhe integrimit evropian të rajonit standardet poashtu duhet të shihen edhe në këtë kontekst.
Unë e falenderoj shumë interesimin e veçantë të Kryeministrit që të kemi një Kosovë të sigurtë, ku të gjithë do të kenë mundësinë që të ecin përpara drejtë përmbushjes së aspiratave ekonomike e kështu me radhë. Edhe një herë, pres që të bashkëpunojmë nga afër. Atë që po e potencoi disa herë sot është një partneritet shumë i ngushtë me Kryeministrtin dhe institucionet e Kosovës. Unë kam kompetencat dhe autoritetin, disa sipas Rezolutës 1244 do t’i mbajë edhe më tutje, mirëpo të tjerat do të mundohem t’i bartë me një transparencë të plotë. Do të diskutojmë bashkërishtë problemet dhe zgjidhjet dhe këtë do t’i bejmë mbi bazën e respektit të dyanshëm dhe të ndërsjell.
Jam shumë i kënaqur me këtë takim të parë dhe mezi pres të kemë raste tjera të takohemi përseri. E falemnderoi Kryeministrin për këtë mirëseardhje kaq të ngrohtë.
ECIKS / Zyra për Informim Publik e Kryeministrit