Prishtinë, 19 gusht 2004 – Qeveria e Kosovës, mbajti sot mbledhjen e saj të rregullt, nën drejtimin e Kryeministrit Bajram Rexhepi. Në njoftimin e lëshuar pas mbledhjes thuhet se në këtë mbledhje u shqyrtua raporti për procesin e tenderit publik për operatorin e dytë të telefonisë mobile në Kosovë, të përpiluar nga korporata “HELM” dhe vendimi i Ministrisë së Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit.
Pas shqyrtimit, Qeveria sugjeroi që Ministria e Trasportit dhe Postë-Telekomunikacionit, në koordinim me Përfaqësuesin e Përhershëm të Sekretarit të Përgjithshëm, të ndërmarrin hapa të mëtutjeshëm në lidhje më këtë çështje, konform ligjit.
Në mbledhjen e djeshme të qeverisë u rishqyrtua edhe çështja e kontratës kolektive dhe vërejtjet lidhur me këtë dokument. Qeveria vendosi të autorizojë Ministrinë e Punës e Mirëqenies Sociale që këtë çështje ta kthejë prapa, në grupin trepalësh, dhe në afat sa më të shkurtër të bëhet harmonizimi i tekstit lidhur me çështjet e hapura.
ECIKS / Balkanweb