Prishtinë – Këshilli i akreditimit është shumë i rëndësishëm për Kosovën pasi do të bëjë testimin e cilësisë, dhe në këtë mënyrë do të krijojë standard më të avancuar të prodhimeve vendore që dedikohen qoftë për tregun vendor apo për eksport. Kështu tha ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Lutfi Zharku, me rastin e themelimit të këtij këshilli në Prishtinë.
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, përmes tri shtyllave kryesore të cilësisë, akreditimit, metrologjisë dhe standardizimit, do të zhvillojë infrastrukturën dhe përmes saj të ndikojë në rritjen e cilësisë në vend.
Ministri i tregtisë dhe industrisë, Lutfi Zharku, tha se këshilli i akreditimit do të jetë vendimmarrës për akreditim të cilësisë së produkteve vendore. Ndërkaq, përgjegjësi i njësisë së akreditimit, Ibush Luzha, duke folur për funksionimin e kësaj njësie u shpreh se synimi i tyre është që të ndahen sa më parë nga Agjencia e Standardizimit, dhe palëve të interesuara t’iu ofrojnë akreditim, e njëkohësisht anëtarësimi në Korporatën Evropiane për akreditim.
Njësia e akreditimit ka pranuar 14 kërkesa për akreditim, prej të cilave dy janë trupa inspektuese kurse të tjerat kërkesa për laboratorë testues, të cilat janë duke u shqyrtuar. Ndërkaq, Këshillin e akreditimit e përbëjnë përfaqësues të Departamentit të industrisë, metrologjisë, Agjencisë së standardeve të Kosovës, Ministrisë së Shëndetësisë, të Bujqësisë, si dhe përfaqësues të biznesit.
Telegrafi / RTK Live