Pritet ndërtimi i 18 hidrocentraleve

Prishtinë, 1 gusht 2008 – Qeveria e Republikës së Kosovës miratoi propozimin e Ministrisë për Energji dhe Miniera (MEM) lidhur me procedurat e ndërtimit të hidrocentraleve të vogla.

Janë përcaktuar 18 lokacione ku mund të ndërtohen hidrocentrale të vogla dhe të gjitha këto hidrocentrale mund të ndërtohen me investime kapitale private, ka deklaruar ministrja e Energjisë dhe Minierave (MEM), Justina Pula-Shiroka.

Ajo ka propozuar që mos të ketë kurrfarë investime në ndërtimin e hidrocentraleve në Kosovë, deri në shtator, kur përfundon hulumtimi dhe studimi i potencialeve dhe resurseve natyrore ujore, se në cilat vende mund të ndërtohen hidrocentralet e vogla.

“Këtë studim do ta përfundojmë deri në shtator të vitit 2008, dhe kërkojmë prej Qeverisë që të ndalojë çfarëdo veprimi administrativ të organeve qeveritare dhe lokale, dhe pasi të hartohet ky studim, do t’i analizojmë të gjitha rrethanat e mundshme për të ngritur hidrocentrale, të cilat do të prodhonin energji elektrike”, ka thënë ajo.

ECIKS/Telegrafi