Thellohet bashkëpunimi ekonomik Kosovë – Kroaci

Prishtinë, 4 maj 2004 – Kryetari i Odës Ekonomike të Kroacisë, Nadan Vidosheviq, i cili ndodhet për një vizitë në vendin tonë u takua sot me kryeministrin Bajram Rexhepi, ministrin Ali Jakupi, kryeparlamentarin Nexhat Daci dhe me koordinatorin e Zyrës së Paktit të Stabilitetit për Kosovë Besim Beqaj, njoftojnë mediat kosovare.

Krijimi i një situate më të favorshme ekonomike për investime dhe fillimi i negociatave për nënshkrimin e Marrëveshjes së Tregëtisë së Lirë ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë, ishin tema të diskutimit gjatë takimit të ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Ali Jakupi, me kryetarin e Odës Ekonomike të Kroacisë, Nadan Vidosheviq, njofton KosovaLive.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Nexhat Daci me mysafirin kroat ka biseduar gjerësisht për mundësitë e aktivizimit të resurseve ekonomike dhe njerëzore të Kosovës në funksion të zhvillimit të përshpejtuar të Kosovës dhe interesit reciprok për bashkëpunim me Kroacinë, bën të ditur Qendra Informative e Kosovës.

Nga ana e tij, kryetari i Odës Ekonomike të Kroacisë ka shfaqur interes për investime në Kosovë dhe për pjesëmarrje në privatizimin e objekteve ekonomike të Kosovës, pavarësisht nga jehona e trazirave të marsit.

Duke folur për rëndësinë e rregullativës ligjore në këtë fazë trasnzicioni të Kosovës, ndërkaq, ai ka vlerësuar se anëtarësimi vullnetar në Odën Ekonomike të Kosovës, sipas ligjit të miratuar nga Kuvendi i Kosovës, nuk është zgjidhje stimuluese, sepse kështu mbrohen interesat vetëm të një grupi ndërmarrjesh, kurse për interesa të përgjithshme shteti duhet të krijojë agjenci të cilat financohen me taksa të qytetarëve.

Duke folur për resurset turistike të Kroacisë dhe mundësitë e vogla të kosovarëve për të udhëtuar në Kroaci, për shkak të regjimit të vizave, Daci ka kërkuar që Zagrebi zyrtar t’i heqë vizat për qytetarët e Kosovës, thuhet në një njoftim nga ky takim.

ECIKS