Hapet terminali më i madh i karburantit në vend

Prishtinë, 4 maj 2004 – Duke parë nevojat e shumta që ka tregu kosovar për furnizim me derivate cilësore të naftës dhe të gazit, por edhe mungesën e objekteve përkatëse bashkëkohore për t’i ofruar tregut kosovar karburante dhe furnizim stabël, udhëheqja e kompanisë kosovare “Standard”, së bashku me firmën nga Zvicra “Mitan Handels-AG Cyrih” që në vitin 2000 nisën të realizojnë një iniciativë me investime të përbashkëta për të ndërtuar një terminal modern dhe bashkëkohor të karburanteve. Këto ditë ky terminal, që është një objekt shumë modern, i ndërtuar sipas standardeve të fundit botërore, me pajisje dhe stabilimente me të reja të kësaj fushe, me sistem ekskluziv dhe të sofistikuar të mbrojtjes nga zjarri, praktikisht është finalizuar dhe ka filluar punën.

Për ndërtimin e terminalit të karburanteve në Miradi të Epërme janë investuar bashkarisht nga kompania kosovare “Standard” dhe nga firma zvicerane “Mitan Handels-AG Cyrih” mbi 8 milionë euro duke ndërtuar terminalin me emër “Standard Plin”, duke u bërë kështu investimi më i madh mes një kompanie kosovare dhe një të huaje.

Konsumi i gazit
“Një shtytje e madhe për ne ka qenë edhe partneriteti që kemi pasur me firmën nga Zvicra ‘Mitan Handels-AG Cyrih’, firmë kjo e cila tani është edhe bashkinvestitor (50 me 50 për qind) dhe është i njohur në tregun botëror për sa i përket kësaj fushe”, – thekson Gazmend Zariqi, drejtor i kompanisë “StandardPlin”. Fillimisht këto dy firma kanë blerë një hapësirë mbi 2 hektarë në Miradi të Epërme. “Është zgjedhur pikërisht ky vend sepse është në mes të Kosovës, prandaj edhe është pikë strategjike”, – thotë Zariqi, për të shtuar më pas se puna e realizimit të fazës së parë të investimit ka filluar diku nga viti 2000 në ndërtimin e depove për gaz (propan butan). Zariqi thotë se kjo fazë ka filluar të realizohet në muajin mars të vitit 2002 e ka përfunduar në datën 5 qershor 2002. Kapaciteti në këtë pikë me propan butan është 490 metra kub, kurse furnizimi, sipas tij, pjesërisht bëhet nga Kroacia, Greqia dhe Maqedonia. “Ndërtimi i këtij terminali dhe fillimi i punës aty ka ndikuar shumë në furnizimin e tregut me gaz, si dhe në stabilizimin e çmimeve. Drejtori Zariqi tregon se në këtë pikë furnizohet tregu me shumicë e ofrohen edhe bombola me sasi të ndryshme. Terminali në Miradi të Epërme furnizon me gaz tërë territorin i Kosovës. “Prishtina është qyteti që konsumon më shumë gaz krahasuar me qytetet e tjera të Kosovës, kjo edhe për faktin e numrit më të madh të banorëve që ka kryeqyteti”, – thotë Zariqi. Sipas tij, kërkesa për gaz është rritur në vazhdimësi. Kjo për faktin se çmimi është më i lirë, pra është më ekonomik, por është edhe më pak ndotës i ambientit në krahasim me derivatet e naftës. Për këtë arsye, sot në Kosovë gazi përdoret shumë në amvisëri, gjithashtu përdoret shumë për ngrohje. Dëshmi e preferencave të kosovarëve për gaz janë të dhënat e shitjes gjatë vitit të shkuar. Ndonëse ishte thuajse viti i parë i punës së terminalit, janë shitur gjithsej 450 tonë gaz në tregun e Kosovës. E gjithë teknologjia, sipas drejtorit të “StandardPlin”, Nebih Zariqi, është italiane dhe kroate. Investimi i fazës së parë, pra në ndërtimin e terminalit për gaz, kap shumën 4.1 milionë euro, dhe gjatë kësaj faze është rregulluar edhe infrastruktura përcjellëse për derivate të naftës, si bazë për fillimin e realizimit edhe të fazës së dytë të këtij investimi kapital. “Realizimi i fazës së parë ishte një bazë e fortë për fillimin e realizimit të fazës së dytë, që u realizua gjithashtu bashkë me partnerët zviceranë”, – thotë Zariqi. Kjo fazë filloi të realizohej në mars të vitit 2003, u desh një vit punë që të përfundojë me sukses ky investim, i cili përfshin depozitat për derivate të naftës dhe kerozin (jet A1), që përdoret për aviacion. “Puna ka filluar ditë më parë, më saktë me datën 24 prill të këtij viti, kurse hapja zyrtare do të bëhet në muajin qershor”. Vetëm naftë ai thotë se janë 4320 metra kub, benzinë 4100 metra kub, kurse 110 metra kub janë kerozinë.

ECIKS / Biznesi