Dublin, 2 maj 2004 – Bashkimi Evropian mirëpriti zyrtarisht dhjetë anëtarët e rinj në një ceremoni të thjeshtë për ngritjen e flamurit në Dublin. Në zgjërimin më të madh të kësaj organizate përfshihen edhe shtete ish komuniste të cilat më parë kishin qenë të shkëputura nga kontinenti për shkak të Luftës së Ftohtë.
Udhëheqës të 25 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian u mblodhën para rezidencës së presidentit irlandez për të kremtuar atë që shumë evropiano-lindorë e cilësojnë si kthim në familjen evropiane.
Presidenti polak Aleksander Kvasnievski, i cili kryeson shtetin më të madh të anëtarëve të ri, u pyet nga gazetarët se si ndihej pas vite negocimi për të përmbushur kërkesat e antarësimit në Bashkimin Evropian. “Unë jam i lumtur, vërtetë, kjo është një ditë e madhe për ne, për Poloninë, për Evropën dhe mendoj se më në fund ne do të realizojmë ëndrrat tona.”
Për Poloninë, republikën Çeke, Sllovakinë, Hungarinë, Slloveninë, Estoninë, Letoninë dhe Lituaninë, pranimi në Bashkimin Evropian kurorëzon dhjetë vjet përpjekje për reforma ekonomike, shpesh të vështira pas përmbysjes së sistemit komunist. Dje në radhët e Bashkimit Evropian u pranuan edhe Malta e Qiproja.
Ceremonia zyrtare në Dublin u zhvillua pasi qindra mijëra qytetarë në vendet e reja anëtare kishin festuar këtë rast i cili shihet si mbyllje e ndarjes Lindje-Perendim. Presidentja e Irlandës, Mary McAleese, tha. “Është një ditë festive, në të cilën e kaluara është lënë të pushojë dhe e ardhmja shikohet me shumë shpresë.”
Por ndërsa udhëheqësit evropianë përshëndesin zgjerimin më të madh të bashkimit të tyre si një triumf historik, ata gjithashtu janë të shqetësuar se ky zgjerim do të kushtojë shumë dhe mund të paralizojë procesin e vendim-marrjeve.
Ky zgjerim drejt lindjes dhe jugut e shton popullatën e Bashkimit Evropian me 75 milionë banorë dhe sipërfaqen territoriale me 25 përqind, por prodhimin e përgjithshëm vetëm me 5 përqind.
Bashkimi Evropian përballet me sfida të tilla si integrimi i anëtarëve më të varfër, manaxhimi i 25 shteteve rreth një tavoline dhe kontrolli i imigracionit e krimit të organizuar tani që kufijtë e Bashkimit Evropian shtrihen deri në ish republikat sovjetike, si Rusia, Ukraina dhe Bjellorusia.
ECIKS / VoA