Thellohen mosmarrëveshjet në AKM

PRISHTINË, 19 SHKURT 2004 – Mosmarrëveshjet midis anëtarëve ndërkombëtarë dhe atyre kosovarë të bordit të Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit (AKM), që është e ngarkuar me procesin e privatizimit në vend, duket se janë thelluar edhe më shumë pas një takimi të zhvilluar në Prishtinë.

Një anëtar i bordit të AKM-së, Bahri Shabani, tha se protestat masive të paralajmëruara për datën 26 shkurt do të mbahen nëse nuk do të ketë zgjidhje për procesin e bllokuar të privatizimit. Këtë e tha pas takimit që kryeadministratori, Harri Holkeri, zhvilloi me kryeministrin e Kosovës, Bajram Rexhepi, dhe shefin e shtyllës së katërt të UNMIK-ut, të ngarkuar me çështjet e rindërtimit të vendit, Nicholaus Lambsdorff.

“Problemet janë thelluar. Ose, nga ajo që kam mundur të kuptoj është se dëshirohet të bëhet një lloj pazarllëku mes dorëheqjes apo shkarkimit të menaxheres me disa anëtarë të tjerë nga ana e qeverisë apo anëtarë vendorë në bordin e AKM-së”, tha Shabani .

Ajo që është vendosur në këtë takim është që kryeadministratori i Kosovës, brenda dy-tre ditësh do të marrë një vendim krahas situatës që është krijuar në kuadër të bordit të AKM-së.

ECIKS / Balkanweb