TIRANË, 18 SHKURT 2004 – Përfaqësues nga ministrite e Transporteve dhe Telekomunikacioneve si dhe te Ekonomisë, të kompanisë konsulente, “Deloitte and Touche”, filluan sot negociatat teknike me kompanine “Airport Partners,” qe ka fituar tenderin për marrjen me konçension te aeroportit te Rinasit. Sipas drejtoreshës së Aviacionit Civil Shqiptar, Merita Xhafaj, e cila është edhe Kryetare e Grupit Negociator, “diskutimet e sotme u përqendruan në plotësimin e kuadrit teknik të marrëveshjes së nënshkruar në fund të muajit Janar të këtij viti”. Konkretisht gjatë negocimeve, që do të zhvillohen në 5 raunde, do të diskutohet rreth detyrimeve që duhet të plotësojnë të dy palet, qeveria shqiptare dhe kompania “Aeroport Partners”. Drejtoresha e Aviacionit Xhafaj tha se, negociatat do të përfundojnë në muajin Prill dhe më pas marrëveshja do të ratifikohet në Parlamentin Shqiptar. Ndërkohë, punimet në Aeroportin e Rinasit pritet të fillojnë në muajin Qershor. Sipas specialistëve në ministrinë e Transporteve, ky konçension do të sjellë aeroportin ne standarte ndërkombëtare, do te rrise sigurinë e lëvizjes së pasagjerëve dhe të avionëve. Ndërkohë, përfitimi financiar i drejtëpërdrejtë i qeverisë Shqiptare është në vlerën prej 21 milion eurosh nga pagesa konçensionare. Pas periudhës 20 vjeçare të konçensionit i gjithë investimi kthehet në pronësi të shtetit shqiptar, ku më pas shteti vendos ose ta mbajë aeroportin në pronësi të vet ose vendos për dhënien me konçension përsëri të kësaj kompanie, apo të kompanive të tjera në bazë të interesit. Përveç pagesës konçensionare qeveria shqiptare do të marrë edhe përfitime të tjera financiare shtesë nga taksa mbi fitimin, TVSH-në si dhe fitimin mbi të ardhurat personale. Specialistët theksojnë se, edhe biznesi do të përfitojë, në industrinë e ndërtimit, turizmit si dhe të shërbimeve elektronike nga vlera prej rreth 81 milion dollarësh të investuara. Po kështu ky investim do të jetë edhe një mbështetje për punësimin e rreth 1000 punonjësve në mënyrë të drejtpërdrejte dhe të tërthortë. Investimi parashikon që, deri në Janar të vitit 2006, kapaciteti i terminalit të ri të arrijë në 850 mijë pasagjerë, ndërkohë që në vitin 2009 kjo shifër të arrijë në 1 milion e 500 mijë pasagjerë dhe në vitin 2016 zgjerimin e kapacitetit deri në 3 milion pasagjerë. Gjithashtu, në Maj të vitit 2006 përfundon edhe rruga e re Tiranë-Aeroport. Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, zgjodhi “Airport Partners” i përbërë nga Hochtief Airport, DEG i bashkuar me Fondin Shqiptaro Amerikan të Ndërmarrjeve si fitues te tenderit për marrjen me koncension te Aeroportit te Rinasit.
ECIKS / Balkanweb