PRISHTINË, 2 Dhjetor 2003 – Lideri i PDK-së, Hashim Thaçi, priti sot në Prishtinë shefin e Shtyllës IV të UNMIK-ut dhe kryetar i Bordit të AKM-së, Nikolaus Lambsdorf, me të cilin ka biseduar lidhur me pengesat në procesin e privatizimit dhe përpjekjet që po bëhen në mënyrë që ky proces të vazhdojë sa më parë. Lambsdorf ka theksuar se ne të gjithë jemi të vendosur që privatizimi të vazhdojë sa më parë, por instruksionet e marra nga Nju-Jorku na kanë bërë të qartë se duhet që të rishikohen politikat operative të AKM-së në bazë të ligjit të aplikueshëm, ndërsa baza juridike e privatizimit mbetet e njëjtë. Nga ana e tij lideri i PDK-së, Thaçi, shprehu shqetësimin e tij për bllokimin e privatizimit dhe kërkoi që të gjitha institucionet, UNMIK-u, Qeveria, AKM-ja të gjejnë gjuhë të përbashkët, t’i harmonizojnë qëndrimet dhe të vazhdojnë me privatizimin e ndërmarrjeve të mbetura shoqërore. “Privatizimi është një nga standardet kryesore dhe më të domosdoshme për rimëkëmbjen e ekonomisë dhe të mirëqenies së qytetarëve të Kosovës. Pengesat juridike dhe politike duhet tejkalohen sa më parë në mënyrë që privatizimi të vazhdojë pa vonesë,” tha Thaçi, njofton Zyra për Informim pranë Partisë Demokratike të Kosovës.
ECIKS / Kosovapress