Prishtinë, 16 janar 2007 — Projekti për ndërtimin e Termocentralit të ri, do të ndikojë pozitivisht në mjedisin hapësinor në Kosovë, tha të martën në Prishtinë, ministri i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Ardian Gjini.
Ky projekt parasheh ndërtimin e Termocentralit “Kosova C”, hapjen e mihjes së re të Sibovcit, rivitalizimin e blloqeve të Termocentralit “Kosova A” dhe të sistemit të bartjes së energjisë elektrike. Ndërkaq, pushtetarët e Kuvendit Komunal (KK) të Kastriotit, kanë premtuar se nuk do të përdorin referendumin për të kundërshtuar realizimin e projektit të kësaj ministrie për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese dhe hapjen e Mihjes së Sibofcit. Gjithashtu edhe ministri Gjini shprehu besimin se projekti i ri i Termocentralit “Kosova C”, do të funksionojë me standardet më të larta mjedisore, “që do të thotë se teknikisht sot ka mundësi që thëngjilli të digjet pastër”.
Sipas tij, në momentin që do të jetë në funksion Termocentrali i ri, Kosova nuk do të varet më nga Termocentralet Kosova A dhe Kosova B, gjë që do të bëjë të ketë një mjedis hapësinor më të pastër. Ndërkohë, gjatë një takimi me kryeshefat ekzekutiv të komunave të Kosovës, ministri Gjini ka shprehur nevojën për një numër më të madh të zyrtarëve të mjedisit në komunat e Kosovës, pasi sipas tij, mjedisi hapësinor në Kosovë, është në fazën ku mund të ndodhin ndryshime të pariparueshme në shumë aspekte si në mbrojtjen e lumenjve, mbrojtjen e pyjeve dhe tjera. “Jemi në një fazë ku mund t’i evitojmë ndryshimet e pariparueshme të cilat mund të ndodhin e të cilat fatmirësisht nuk kanë ndodhur ende”, tha më tej Gjini.
ECIKS / Gazeta Express