Prishtinë, 16 janar 2007— Anëtarësimi i Bullgarisë në Bashkimin Evropian (BE), prodhuesve kosovarë u ka sjellë telashe. Komuniteti i biznesit të Kosovës është shqetësuar që pas anëtarësimit të këtij vendi në BE, për ta vizituar Bullgarinë duhen të jenë të pajisur me viza. Këta prodhues brengën e tyre e kanë hapur edhe para shefit të Zyrës bullgare në Prishtinë, Nikolay Kolev. Ata kërkuan që Kolev të jetë ndërmjetësues mes Kosovës dhe Ministrisë së Jashtme bullgare, që biznesmenëve kosovarë t’u lejohet sa më lehtë marrja e vizave.
Por, Kolev ka kërkuar që afaristët e të dy vendeve ta bindin Qeverinë e Bullgarisë me punën e tyre, në mënyrë që mos të hasin në probleme për marrje të vizave. “Nëse afaristët osovarë dhe ata bullgarë e bindin Qeverinë e Bullgarisë se shkalla e bashkëpunimit të tyre është e nivelit të lartë, në një të ardhme të afërt vizat bullgare mund të merren edhe në Prishtinë”, tha Kolev.
Me ndërmjetësimin e Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) është arritur mundësia e bisedimeve mes shefit të Zyrës bulgare dhe afaristëve kosovarë. Ndërsa të dy palët kanë diskutuar për mundësinë e marrjes së vizave në Prishtinë, pa udhëtuar në vendet fqinje për t’u pajisur me këtë dokument.
Problemi më i madh për afaristët kosovarë është pasaporta e UNMIK-ut. Me këtë dokument kosovarët nuk kanë ku të kërkojnë vizat bullgare. Ndërsa, ata që janë të pajisur me pasaporta të Serbisë, mund të konkurrojnë në Shkup për pajisjen me këtë vizë. Një raport i Entit të Statistikave të Kosovës, i cili është publikuar, thuhet se këmbimi mes Kosovës dhe Bullgarisë në eksportimport ka dallime të mëdha. Vetëm gjatë muajit nëntor të vitit të kaluar Kosova ka eksportuar mallra me vlerë prej 355 mijë euro në këtë vend.
Ndërsa mallrat të cilat Kosova i ka importuar nga Bullgaria, kapin shifrën 3 milionë e 38 mijë euro, që do të thotë se vendi ynë ka eksportuar dhjetë herë më pak sesa ka importuar. Por, edhe kryetari i OEK-ut, Besim Beqaj, ka kërkuar nga komuniteti i biznesit të bëjnë një përgatitje përmes një raporti, që, sipas tij, OEK-u në shkurt do të udhëtojë për në Bulgari dhe t’i bindë institucionet bulgare për rëndësinë e këtyre vizave.
“Nevojitet një bashkëpunim më i madh në mes të komunitetit të biznesit, OEK-ut dhe Qeverisë së Kosovës me institucionet ekonomike dhe politike të Bullgarisë”, tha Beqaj. Komuniteti i biznesit të vendit është duke hasur në vështirësi për marrje të vizave bullgare. Por, shefi i Zyrës bullgare kërkon nga ky komunitet që të sqarojnë arsyet e tyre biznesore mes këtyre dy vendeve. Ndërsa, Kosova gjatë muajit nëntor 2006 ka eksportuar në këtë vend 10 herë më pak sesa ka importuar.
ECIKS / Gazeta Express