Prishtinë, 17 janar – Kompanitë “Mobilkom- Austria”, “Telekom Sllovenia”, “Team -Kosova” dhe “Kosmocell”, janë katër konkurrentët në tenderin e dytë mobil në Kosovë. Jashtë loje ndërkohë kanë mbetur kompania “IWH-International”, e cila sipas drejtuesve të ART-së ka dorëzuar ofertën me 6 minuta vonesë, dhe një kompani tjetër e cila aplikacionet i ka dorëzuar me pliko. Mirlinda Bivolaku, zyrtare për informim e Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit (ART), në një konferencë për shtyp ka thënë se janë pranuar vetëm ofertat të cilat janë dorëzuar deri në orën 15:00, ndërsa për dy ofertat tjera “kontestuese”, ajo nuk ka komentuar duke thënë se janë jashtë afatit të paracaktuar nga ART-ja. Këtë deklarim Bivolaku e ka bërë pa marrë parasysh se vetëm një ditë më parë drejtuesit e Ministrisë së Transportit kanë thënë se do të jenë koshientë sa u përket ofertave që vijnë gjatë gjithë ditës së mërkurë dhe do të tolerohen edhe ato që vijnë me pak vonesë. “Mobilkom-Austria” është në partneritet me kompaninë “Sillos”.
Por Adnan Merovci, përfaqësues i kësaj kompanie, i kontaktuar nga “Lajmi” tha se është jashtë vendit dhe nuk ka pranuar të komentojë këtë gjë. Ndërsa “Telekom Slovenija-Mobitel” në partneritet me kompaninë IPKO, të cilën e kanë blerë në masën 75 për qind. Ndërkohë që pas kompanisë “Kosmocell”, qëndrojnë dy kompani kosovare – “Dukagjini” dhe “Kujtesa”. Këtë e ka konfirmuar edhe Fatmir Gashi, njëri nga drejtuesit e kompanisë “Dukagjini”, por ai nuk ka pranuar të bëjë publik emrin e kompanisë ndërkombëtare, me të cilën janë në konzorcium. Sipas tij, janë disa kompani të huaja, një italiane dhe një tjetër amerikane. Ndërkaq edhe këtë herë gjigantët e telefonisë evropiane, si “Vodaphone”, “Deutche-telekom”, “Tele 2” dhe “Telenor”, kanë preferuar të mbesin jashtë gare duke ndërruar mendje në minutat e fundit. Megjithëse “tenderi mobil” në Kosovë ka qenë në agjendë të diskutimit në mbledhje maratonike të së mërkurës, britanikët e “Vodaphonit”, prapë kanë parapëlqyer të mos futen në garën telefonike në Kosovë.
“Jemi duke diskutuar këtë çështje. I kemi aplikacionet përpara dhe po i shqyrtojmë të gjitha arsyet se si të veprojmë, të konkurrojmë apo jo”, ka qenë përgjigja e një zyrtari të lartë të ‘Vodaphone” dhënë ‘Lajmit” vetëm një orë para “dead line” të procedurës aplikuese. Ndërkohë edhe Corinna Kielwein, zyrtare e “T-mobile/Deutche Telekom”, duke mos komentuar epilogun e mundshëm, tha se edhe gjatë ditës së fundit të caktuar për ofertim, kompania e tyre ka shqyrtuar mundësinë e pjesëmarrjes në tenderin mobil në Kosovë. Megjithëkëtë, as kjo kompani nuk është gjendur në listën e publikuar nga Autoriteti Rregullativ.
Tenderi mobil është njëri nga proceset që është përshkuar me më së shumti kundërthënie. Një tender i mëparshëm, që i ka kaluar të gjitha procedurat tenderuese, e madje edhe është zgjedhur e rizgjedhur fituesi, është anuluar nga administrata e UNMIK-ut, derisa për tenderin e shpallur aktualisht, institucionet kanë angazhuar një kompani konsulente, e cila shihet si ‘korrigjuese” e gabimeve të bëra në tenderin e kaluar.
ECIKS / Gazeta Lajm