Termocentral me Gaz?!

Sipas kryetarit të AKR-së, Behxhet Pacolli, nga kriza energjetike mund të dilet për 6 deri 9 muaj. Ai është shprehur i gatshëm që ta ndërtojë një termocentral me gaz brenda 18 muajve. MEM-i nuk ia ka lejuar një gjë të tillë. Po mundohet ta ndërtojë në kufi të Kosovës.

Prishtinë,26 shkurt 2007 — Kryetari i Aleancës për Kosovën e Re (AKR), Behxhet Pacolli, është shprehur i pakënaqur me gjendjen e keqe të energjisë elektrike, e cila, sipas tij, ende nuk është në rrugë të mirë për t’u përmirësuar. Ai vlerësoi se me një menaxhim të mirë, brenda një viti do të tejkalohet kjo krizë energjetike.

“Unë jam kundër mënyrës se si është punuar deri tani. Problemi i energjisë elektrike mund të stabilizohet për një periudhë prej gjashtë deri në nëntë muaj e jo për gjashtë vjet. Popullata e Kosovës nuk e di se në çfarë kushtesh do të ndërtohet termocentrali. AKR-ja do t’i kundërvihet çdo vendimi që nuk është transparent dhe që është në kundërshtim me interesin e kosovarëve”, shtoi ai.

Pacolli ka kërkuar nga ekzekutivi i vendit që të sqarojë për mënyrën e tenderimit të ndërtimit të termocentralit Kosova C, në të cilin do të investohet një shumë e madhe parash.

“Qeveria e Kosovës të dalë me një dokument ku përshkruhet në mënyrë të saktë se me çfarë kriteresh i kanë zgjedhur katër kompanitë, një prej të cilave do të jetë fituese e tenderit për ndërtimin e termocentralit të ri në Kosovë. Duhet të precizohet më shumë sesa që thuhet për një kompani që është amerikano-çekosllovake apo firmë e madhe”, ka deklaruar ai, teksa ka kërkuar nga kjo qeveri të jetë më transparente gjatë këtyre tenderimeve.

Ndërsa anëtari tjetër i kryesisë së kësaj partie Driton Tali, ka thënë se nuk është kompetencë e Qeverisë që ajo të merret me privatizimin e kompanive publike.

“Çka derisa të ndërtohet termocentrali. Nuk është qartësuar ende se kush ka të drejtë ta bëjë këtë privatizim, duke pas parasysh Rezolutën 1244, ku thuhet qartë se me pronën publike menaxhon AKM-ja.

Nuk është kompetencë e Qeverisë që të merret me këtë problem për momentin”, tha Tali.

Ai është shprehur se partia e tyre është duke përgatitur një projekt për ndërtimin e një termocentrali me gaz, i cili nuk do ta ndotë ajrin. “AKR-ja po përgatit një projekt të tillë që ka koston mbi 2 miliardë dollarë për gazifikim dhe centrali termik prej 630 megavatesh ka koston deri në 700 milionë dollarë. Ky termocentral nuk do të ndotë ajrin. Ne mendojmë që për t’i ikur ndotjes të investojmë në atë që e kemi për të prodhuar rrymë”, ka shtuar ai. Ndërsa vetë kryetari Pacolli ka deklaruar se është i gatshëm që ta ndërtojë një termocentral të tillë, i cili ka thënë se ky investim nuk i është lejuar nga Ministria e Energjetikës dhe Minierave (MEM).

“Do të mundohem të ndërtojë një termocentral të tillë diku në kufi të Kosovës brenda 18 muajve, nëse nuk më lejojnë ta ndërtoj brenda në Kosovë. Kam biseduar me Ministrinë e Energjetikës dhe më kanë thënë se nuk lejohen investime të tilla”, ka thënë Pacolli.

Por, edhe anëtarët e partive të tjera opozitare shprehen se Qeveria është duke punuar vetëm në një alternativë. Sipas Bajrush Xhemajlit nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Pacolli apo kushdo tjetër që është i gatshëm. Që është në gjendje të bëjë një investim të tillë, Qeveria duhet ta marrë në shqyrtim dhe të dalë në përfundim se a do të ishte ai projekt i mirë apo jo. “Parimisht Qeveria është e obliguar që të gjitha idetë t’i marrë në shqyrtim, edhe pse deri tash nuk i ka marrë. Por këtë propozim Qeveria duhet ta marrë në shqyrtim. Unë nuk i di parametrat e këtij projekti, por si termocentral me gaz është më i mirë për ambientin. Por, e përsëris se Qeveria duhet të marrë parasysh këtë projekt, sepse kjo qeveri pa marrë parasysh çka flet ajo është duke punuar vetëm në një alternativë”, ka thënë Bajrush Xhemajli.

Zyrtarë nga Qeveria e Kosovës nuk janë shprehur të gatshëm t’i komentojnë deklaratat e Pacollit lidhur me ndërtimin e këtij termocentrali. Sipas zëvendësministrit të Energjisë dhe Minierave, Agron Dida, në dokumentin e hartuar në vitin 2005 për strategjinë energjetike, nuk parashihen projekte të tilla afatgjata. “Këto projekte janë projekte madhore, qoftë me implikime ekonomike, qoftë politike. Në vitin 2005 ne e kemi punuar projektin për ndërtimin e kapaciteteve të reja. Në këtë dokument nuk parashihen investime të tilla. Ky dokument parasheh furnizimin afatshkurtër, afatmesëm dhe strategjinë energjetike E”, tha Dida për Express.

Ndërkaq, Driton Tali ka folur për mundësinë e dështimit të Qeverisë në këto projekte që i ka nisur rreth tenderimeve të privatizimit të ndërmarrjeve publike.

“Këtu del se është interes i tyre politik që merren me këto probleme dhe jo me menaxhimin organizativ dhe teknik, kompetencat, që tashmë i kanë fituar. Nuk tregojnë sa paguhen drejtorët. Si u bë që përdorin aq shumë benzinë dhe sa herë që i pyesim, ata përdorin pronën publike për interesa personale”, shtoi ai.

Ai ka thënë se duhet t’i bëhet Qeverisë me dije se nuk ka hapësirë për justifikime pas dështimit të këtyre projekteve. Sipas tij, disa nga organizatat botërore kohë më parë i kanë bërë me dije Qeverisë se pronat publike, sipas Rezolutës 1244 duhet të menaxhohen nga Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM).”Në momentin kur kjo do të dështojë, ata do të na tregojnë se nuk kanë pasur kompetenca dhe se nuk i ka lënë Banka Botërore që ka reaguar së bashku me FMN-në, duke ua tërhequr vërejtjen se me pronën publike menaxhon AKM-ja. Ne e dimë që në momentin kur do të ndryshojë Rezoluta 1244, duhet të mbahen zgjedhjet, pra edhe ashtu Qeveria nuk ka mandat legjitim që të merret me një problem që zgjat më shumë se kompetencat e tyre në aspektin kohor”, ka shtuar Tali.

ECIKS / Gazeta Express