Fondi i privatizimit mund ta ndërtojë autostradën Prishtinë-Durrës

Prishtinë, 27 shkurt 2007 – Ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Qemajl Ahmeti, ka pritur sot shefin e Shtyllës së Katërt të UNMIK-ut, Paul Acda, me të cilin ka biseduar rreth zgjidhjes së disa problemeve të MTPT-së që lidhen me AKM-në, përkatësisht me Shtyllën e Katërt të UNMIK-ut.

Në këtë takim, siç bën të ditur agjencia e lajmeve Telgrafi.com, është kërkuar mundësia që mjetet e fondit të privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore të destinohen për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Durrës.

Shefi i Shtyllës së UNMIK-ut, Paul Acda, parimisht u pajtua me këtë ide të Ministrit Ahmeti, duke nënvizuar edhe në takimin me gazetarë se, zhvillimi i infrastrukturës rrugore, është e ardhmja e Kosovës.

Acda e ka njoftuar ministrin Ahmeti gjithashtu rreth kërkesës së tij, të bërë kohë më parë, që të ndikohet te autoritetet serbe në Beograd që të mos keqtrajtohen transportuesit që kalojnë nëpër territorin e Serbisë. Ai tha se me gjithë vullnetin e tij që të tejkalohet ky problem, ai nuk ka arritur ta zgjidhë atë me Qeverinë e Serbisë, për shkak të rrethanave aktuale politike në atë vend.

Acda, gjatë takimit, ka marrë premtimin e ministrit Ahmeti që MTPT-ja shumë shpejt do t’i propozojë anëtarët e bordeve menaxhuese në PTK, Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës dhe në Bordin e Hekurudhave, pra në këto ndërmarrje publike të cilat, pas bartjes së kompetencave, do të menaxhohen nga Ministria e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit të Kosovës.

ECIKS/Telegrafi.com