Tenderët e energjetikës në duart e LDK-së

Reduktimi i pranisë ndërkombëtare në Komisionin për tenderë, në projektet energjetike është i dukshëm prej 40 për qind në vetëm dhjetë për qind, ndërkohë që është rritur numri i anëtarëve në komision nga LDK-ja prej 10 për qind, sa ka qenë vitin e kaluar, në 60 për qind në propozimin e bërë në shkurt të këtij viti

Prishtinë, 4 Prill 2007 – Në Komisionin tenderues për projekte në energjetikë janë bërë ndërrime substanciale sa i përket proporcionit votues, e që për pasojë ka kalimin e shumicës së votuesve në këtë komision nga AAK-ja në LDK. Ndërkohë që nuk është propozuar asnjë anëtar nga partitë opozitare që të jetë pjesë e komisionit për tenderët në energjetikë. Këto ndërrime koincidojnë edhe me deklaratat për “vazhdimin” e koalicionit ekzistues, duke bërë të qartë se janë ndërprerë “hapat” për koalicionin e ri, dialogu mes Thaçit dhe Sejdiut.

Në një dokument të siguruar nga “Koha Ditore” mësohet për ndryshmet e propozuara në Ligjin për energji për të dytën herë që nga viti i kaluar. Reduktimi i pranisë ndërkombëtare është i dukshëm, nga 40 për qind në vetëm dhjetë për qind të anëtarëve të komisionit, ndërkohë që është rritur numri i anëtarëve nga LDK-ja prej 10, sa ka qenë vitin e kaluar, në 60 për qind me propozimin e fundit.

Në gusht të vitit 2006, me amendamentin e Qeverisë, pesëdhjetë për qind e komisionit përbëhej nga anëtarë të AAK-së, 40 ishin përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare, kurse 10 nga LDK-ja. Ministri i Ministrisë për Energjetikë dhe Miniera, Ethem Çeku, ka qenë kryesues i komisionit dhe kishte të drejtë për dy vota, ndërsa anëtarë të tjerë ishin shefi i UNMIK-ut, zëvendësi i tij, kryeministri i Kosovës, ministri për Ekonomi dhe Financa, ministri e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, shefi i Zyrës së Rregullatorit për Energji, që ishte ndërkombëtar, si dhe kryetari i Komisionit për miniera dhe minerale.

Në nëntor të viti 2006 janë bërë ndryshime të tjera në komision. Është shtuar numri i anëtarëve të LDK-së, ndërsa është zvogëluar numri i anëtarëve të AAK-së. Kryeministri është propozuar që të jetë kryesues i këtij komisioni, kurse ministri për Punë dhe Mirëqenie Sociale zëvendësohet me ministrin për Transport dhe Telekomunikacion.

Në takimin e përfaqësuesve të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, më 27 shkurt të vitit 2007, është tërhequr raporti me propozimet e muajit nëntor. Në këtë takim është ndryshuar tërësisht struktura e anëtarëve që do të votojnë në Komisionin tenderues të projekteve të energjisë. Në krye të këtij komisioni është vendosur Lutfi Haziri, zëvendës i kryeministrit të Kosovës, vetëm një ndërkombëtar – zëvendësshefi i UNMIK-ut, tre anëtarë nga AAK-ja – ministri i MEM-it, ministri i Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor dhe kryetari i Komisionit të pavarur për miniera dhe minerale.

Kurse nga LDK-ja janë propozuar edhe katër të tjerë, përveç zv\kryeministrit, edhe ministri
për Ekonomi dhe Financa, Haki Shatri, një anëtar nga Zyra e presidentit, shefi i Zyrës së Rregullatorit për Energji, që tash është Ali Hamiti, dhe një anëtar nga Komisioni parlamentar për buxhet edhe financa. Kjo ka bërë që të rritet për 60 për qind pesha votuese nga LDK-ja, ndërsa ajo e AAK-së zvogëlohet në 30 për qind. Partia më e madhe opozitare ka reaguar duke thënë se ky komision duhet të ketë anëtarë profesionistë e jo të gjithë të jenë me prapavijë
politike.

“Nuk ka asnjë kuptim që ky komision të jetë i pavarur me këtë strukturë, aty duhet ta kenë vendin ekspertët e jo politikanët”, tha drejtori i Departamentit për miniera dhe minerale pranë Kabinetit për Qeverisje të Mirë, Bedri Hamza.

Kjo nuk është hera e parë që në pozitat vendimmarrëse për çështje të ndjeshme emërohen zyrtarë nga partitë politike. Para disa javësh, Qeveria ka aprovuar një listë me emrat për anëtarët e bordeve të ndërmarrjeve publike. Shumica prej tyre janë të zgjedhurit e dy partive në koalicion, LDK dhe AAK, edhe pse është paralajmëruar se këto borde duhet të udhëhiqen nga njerëz profesionalë, që të mos ketë ndikime politike në vendimmarrje.

Koha Ditore