Shitet “Kasabanka”

“Nova Ljublanska Banka” nuk ka marrë parasysh hetimet për shpëlarje parash dhe ndërhyrjen e policisë në “Kasabankë”, lidhur me Fondin Haradinaj, dhe përfundimisht ka blerë 50.14 për qind të aksioneve në këtë bankë. Ndërkohë pretendon të blejë edhe Bankën e Re të Kosovës

Prishtinë, 4 Prill 2007 – Hetimet për shpëlarje parash dhe ndërhyrja e policisë në “Kasabankë” lidhur me Fondin Haradinaj nuk e kanë penguar “Nova Ljublanska Bankën” që të blejë 50.14 për qind të aksioneve në “Kasabankë”. Të mërkurën edhe zyrtarisht është nënshkruar marrëveshja mes këtyre dy bankave për shitblerjen e aksioneve, gjë që është pritur tash një kohë të gjatë.

Deri më tani sllovenët në KSB nëpërmjet “Faktor Bankës”, kanë zotëruar 26 për qind të aksioneve dhe me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje pronësia sllovene në këtë bankë do të arrijë në 76.1 për qind, që do të thotë se përqindja e kapitalit kosovar do të jetë shumë e vogël.

Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes mori pjesë edhe drejtori i “Kasabankës” që ndodhet në arrest shtëpiak për shkak të dyshimeve për involvim në shpëlarje parash, Milazim Abazi.

Abazi, të cilit iu mundësua lirimi i përkohshëm nga arresti shtëpiak enkas për këtë ngjarje, ka thënë se shitja e më tepër se gjysmës së aksioneve është në të mirë të zhvillimit ekonomik të vendit. Ai ka pohuar se kosovarët rrugën drejt Bashkimit Evropian do ta gjejnë përmes Sllovenisë, duke shndërruar kështu ekonominë e Kosovës në ekonomi të orientuar kah eksporti.

“Sllovenia radhitet e para sa i përket investimeve të huaja në Kosovë, që për këtë vit bashkë me licencën për telefoni dhe investimin e fundit në bankën tonë llogarit rreth 200 milionë euro investime”, ka pohuar Abazi.

Kryetar i Këshillit të “Kasabankës”, Hashim Deshishku, ka thënë se janë të sigurt që kanë gjetur një partner strategjik që do të ndikojë në vazhdimin e sukseseve të “Kasabankës”.

Për zëvendësguvernatorin e Bankës Qendrore të Sllovenisë, Savo Vuçiç, blerja e këtyre aksioneve do të thotë një detyrë më tepër për Bankën Qendrore Sllovene që bashkë me Autoritetin Qendror Bankar të Kosovës do ta kontrollojnë aktivitetin e “Kasabankës”. Ai ka thënë se para dy vitesh kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me ABQK-në.

“Ne kemi marrëdhënie të mira duke pasur parasysh se edhe Factor Banka është aksionare në “Kasabank” dhe për shkak të kësaj ngjarjeje ne do të kemi marrëdhënie edhe më të mira me kolegët tanë në ABQKnë”, ka pohuar Vuçiç. Sipas tij, zgjerimi i Nova Ljublanska Bankës në Ballkan ka për synim thithjen e konsumatorëve të mëdhenj, me ç’rast NLB-ja do të angazhohet në ngritjen e kualitetit “Kasabankës” dhe do të jetë e gatshme t’u ofrojë shërbime më të mira depozituesve.

Shefi i AQBK-së, Michel Shvetchine, ka thënë se nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje është një kurorëzim i suksesit të vazhdueshëm që ka pasur kjo bankë. Sipas tij, për shkak të gjendjes aktuale të ekonomisë së vendit, ekziston nevoja për partneritet mes bankave si nga brenda ashtu edhe nga jashtë dhe ato ndikojnë në ngritjen e sistemit bankar në Kosovë.

“Kasabank” aktualisht ka 70 degë dhe nëndegë të saja në Kosovë dhe 150 mijë klientë. Asetet e saj vlerësohen mbi 130 milionë euro.

Interesimi slloven për të dominuar në tregun bankar në Kosovë nuk do të përfundojë me blerjen e “Kasabankës”. “Nova Ljublanska Banka” ka nisur bisedimet edhe me “Bankën e Re të Kosovës” ku pretendon të blejë 51 për qind të aksioneve. Fillimin e bisedimeve për shitje të kësaj pjese e ka konfirmuar edhe drejtori gjeneral i BRK-së, Albert Lumezi.

“Është e vërtetë se kemi filluar negociatat me NLB-në për shitjen e një pjese të aksioneve, mirëpo ky është një proces afatgjatë dhe ende nuk kemi arritur marrëveshje për përqindjen e aksioneve që do të shiten”, ka thënë Lumezi.

Koha Ditore