Telekom Austria ofron 350 milionë euro për PTK

Krahas Telekomit gjerman, edhe Telekom Austria ka shfaqur interesimin e vet për të blerë 75 për qind të aksioneve të Postë-telekomit të Kosovës.

“Jemi të interesuar të blejmë Postë telekomin e Kosovës”, i ka thënë gazetës vjeneze “Die Presse” një zëdhënëse e Telekom Austria. Megjithatë, ajo ka theksuar se Telekom Austria ende nuk ka marrë nën lupë bilancin e PTK-së. Ajo nuk ka folur as për çmimin, por as për kohëzgjatjen e procedurave.

Përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës shpresojnë të fitojnë një shumë prej 600 milionë eurosh për 75 për qind të shitjes së PTK-së. Por, “Die Presse”, shkruan se nga burime brenda Telekom Austria ka marrë vesh se kjo kompani do të ofrojë një çmim prej 300 deri në 350 milionë euro.

Vëzhguesit e rrjedhave ekonomike kanë hequr një paralele me privatizimin e Telekomit të Serbisë. Qeveria në Beograd kishte kërkuar 1.4 miliardë euro, por Telekom Austria kishte ofruar një çmim shumë më të ulët.

Telekom Austria, shkruan “Die Presse”, kishte konkurruar për dy licenca të telefonisë mobile në vitin 2007 në Kosovë por ishte kthyer duarthatë. Aktualisht, shkruan “Die Presse”, kundër PTK-së janë duke u zhvilluar hetime për korrupsion dhe për këtë qëllim EULEX kishte bastisur zyrat e saj.

ECIKS / Die Presse