Të ndërtohet një tunel nënujor Shqipëri-Itali

ROMË, 18 qershor 2003 – Gjatë një vizite, që i bëri homologut të tij italian Antonio Martino, Ministri Shqiptar i Mbrojtjes Pandeli Majko ka hedhur idenë e ndërtimit të një tuneli nënujor, që do të lidhte Shqipërinë me Italinë. Ky tunel, sipas Majkos do të ndërtohej nën Detin Adriatik dhe do të ishte një lidhje shumë e mirë në mes të dy vendeve. Roli i këtij tuneli për zhvillimin dhe ngritjen e rëndësisë së Korridorit të Tetë do të ishte jashtëzakonisht i madh. Të dy ministrat janë pajtuar që për realizimin e një projekti të këtillë, nevojiten shuma të larta të mjeteve financiare dhe para së gjithash një studim detajor i këtij projekti. Njësitet e xhenios të Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe ushtrisë italiane do të fillojnë qysh tani studimin e këtij projekti dhe hulumtimin e mundësive teknike për ndërtimin e tunelit.

Një tunel i ngjashëm është ndërtuar edhe në mes të Francës dhe Britanisë së Madhe dhe ka vite që është në funksion.

Në ndërkohë, gjithashtu në kuadër të plotësimit të Korridorit të Tetë, është vendosur që ushtria shqiptare, në bashkëpunim me atë italiane dhe maqedone të fillojë realizimin e projektit për ndërtimin e hekurudhës Shqipëri-Maqedoni.

ECIKS (K.D.)