Ministri i Financave (MF), Bedri Hamza, ka prezantuar të mërkurën në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, raportin financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës për gjashtëmujorin e parë të vitit 2012. Ai ka bërë të ditur se të hyrat janë rritur për 12 %, në krahasim me përiudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Ai paraqiti një përmbledhje të raportit për gjashtëmujorin e parë të vitit 2012, për të hyrat dhe shpenzimet, duke i pasqyruar të dhënat në formë analitike dhe krahasuese me vitin paraprak. “Të hyrat gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2012, duke mos përfshirë grantet e përcaktuara të donatorëve si dhe fondet në mirëbesim, janë 649.76 milionë euro dhe paraqesin 42.3 % të pranimeve të përgjithshme vjetore të planifikuara, ndërsa kemi një rritje prej 12 %, krahasuar me periudhën e njejtë të vitit paraprak”, tha Hamza.
Ndërsa, sa i përket shpenzimeve, Ministri Hamza, tha se “Shpenzimet gjatë këtij gjashtëmujori, duke mos përfshirë grantet e përcaktuara të donatorëve si dhe fondet në mirëbesim, kanë qenë 625.60 milionë euro dhe paraqesin 40 % të planit të përgjithshëm vjetor.”
Ministri Hamza, njoftoi se si rrjedhim nga mbledhja më e madhe e te hyrave në krahasim me pagesat bilanci primar është rritur për 25.26 milionë euro deri me 30 qershor 2012”.
/Telegrafi/