Tatimi në patundshmëri përmes rregullores së re

PRISHTINË, 07 TETOR 2003 – Rregullorja 2003/29 për tatimin në pronën e paluajtshme në Kosovë është pasardhëse e rregullores 2001/23 mbi pilot programin për vendosjen e tatimit në pronën e paluajtshme, thanë zyrtarë të Ministrisë për Ekonomi dhe Financa në takimin e sotëm me menaxherët dhe koordinatorët e inkasimit të tatimit në pronë të komunave të Kosovës.

Tatimi në pronë është burim vetanak i mjeteve për komunat kosovare që mund të rritet me përmirësimin dhe rritjen e ekonomisë së Kosovës, tha bashkëkryesuesi i tatimit në pronë në Ministrinë për Ekonomi dhe Financa, Ali Gashi.

Rregullorja e re përmbanë disa risi për të cilat është debatuar në Kuvendin e Kosovës, dhe është nënshkruar nga përfaqësuesi special i sekretarit të përgjithshëm, Hari Holkeri, tha ai.

Qytetarët e pakënaqur kanë të drejtë të ankohen në Kuvendet e tyre Komunale, ku do të formohen bordet e ankesave. Rregullorja 2003/29 për tatimin në pronën e paluajtshme në Kosovë vendosë bazën për stabilitet fiskal afatgjatë për komunat e Kosovës.

ECIKS / RTK