Suficiti i vitit të kaluar jo më shumë se 78 milionë euro

Prishtinë, 4 shkurt 2004 – Suficiti i vitit të shkuar është shumë më i vogël se që është përfolur, tha sot ministri i Ekonomisë dhe Financave Ali Sadriu. Suficiti shumë i përfolur mbi 300 milionë euro, sipas ministrit Sadriu nuk është më i lartë se 78 milionë euro. Shifra ndryshon varësisht nga një qëndrim që duhet të merret në Këshillin Ekonomik Fiskal.

“Sipas bindjes sime duhet të shkon në 57 milionë. Është një grant që i dedikohet komunave 21 milionë për projektet të cilat i kanë në gjysmë dhe që janë tepër të rëndësishme ku bëjnë pjesë edhe këto vërshime që po ndodhin sot edhe shumë e shumë projekte tjera të cilat ende nuk janë nënshkruar nga PSSP”, shtoi Sadriu.

Ai këto komente i bëri në insistim të gazetarëve pas një takimi që ministri Sadriu e pati me nënkryetarin e BSPK-së Ukë Bashota, në vazhdimësi të kontakteve për çështje të pagave të punëtorëve të cilët financohen nga buxheti. U tha se 5 % i premtuar nga viti i kaluar nuk është realizuar në rrogën e muajit janar për çështje teknike, por që do të kompenzohet. Në këtë 5 % është biseduar të futen edhe punëtorët e Administratës dhe të Judikaturës së Kosovës.

ECIKS/RTKLive