Liçensimi i aeroportit të Prishtinës: 28.5 milionë euro

Prishtinë, 4 shkurt 2004 – Islanda ka marrë përgjegjësinë për të certifikuar aeroportin e Prishtinës pas nënshkrimit të marrëveshjes së përfaqësuesve të saj me shefin e UNMIK-ut, Harri Holkeri, më 29 janar. Por, për t’u licensuar ky aeroport, Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit kërkon 28.5 milionë euro nga suficiti i buxhetit të konsoliduar të Kosovës.

Afrim Aziri, shef i Shërbimeve të Kontrollit të Trafikut Ajror, tha se nga marrëveshja e nënshkruar Islanda nuk ka kurrfarë përfitimi, por e ka bërë këtë nga vullneti i mirë, në mënyrë që aeroporti i Prishtinës të mund të funksionojë në përputhshmëri me rregullat e Organizatës Ndërkombëtare për Aviacion Civil (ICAO). Aktualisht shef i aeroportit është koloneli islandez, Halli Sigurson, i cili kontrollon aeroportin së bashku me ushtarët islandezë të KFOR-it. Pas 1 prillit UNMIK-u do të jetë përgjegjës për kontrollimin e aeroportit, siç është vendosur me Letrën e Qëllimit që u nënshkrua në tetor të vitit 2003 ndërmjet komandantit të KFOR-it dhe shefit të UNMIK-ut, por shërbimet do t’i kryejë sërish personeli nga Islanda. Në mënyrë që të ndodhë shndërrimi i plotë i aeroportit të Prishtinës në aeroport civil dhe në përputhshmëri me kushtet e vëna nga Islanda, Agjencia Kosovare e Mirëbesimit dhe Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) kanë vlerësuar se duhen alokuar menjëherë 28.5 milionë euro nga buxheti i qeverisë së Kosovës për nevojat e aeroportit. Mimoza Kusari, zëdhënëse e qeverisë, tha se kërkesa e AKM-së është shqyrtuar nga kabineti Rexhepi, por është vendosur që të kalohet në shqyrtim të Këshillit Ekonomik Fiskal. Afrim Aziri, zyrtar i lartë në aeroportin e Prishtinës, thotë se 28.5 milionë euro plotësojnë nevojat e këtij aeroporti. Agim Krasniqi, drejtor i buxhetit, tha se vendimi ende nuk është marrë ende, por pritet që kjo të bëhet në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Ekonomik Fiskal, i cili mblidhet më 11 shkurt. Më 2 janar 2004 ministri i Jashtëm i Islandës, Halldor Asgrimsson, i ka shkruar një letër kryeadministratorit të Kosovës, me anë të së cilës ai është deklaruar se shteti i tij është i gatshëm t’ia kryejë UNMIK-ut shërbimet e kërkuara të aviacionit civil, përfshirë licensimin e kontrollorëve të ajrit, certifikimin e aeroportit dhe të pajisjeve, sipas standardeve të ICAO, si dhe sigurimin e informacionit aeronautik dhe të shërbimeve meteorologjike. Gatishmëria e Islandës u kushtëzua me ristrukturimin e aeroportit në mënyrën e duhur, mbështetjen financiare të UNMIK-ut dhe që aeroporti të jetë i siguruar.
Në mënyrë që të plotësohen këto kushte shefi i UNMIK-ut, Harri Holkeri, më 3 tetor 2003 në një letër adresuar kryeministrit të Kosovës i ka kërkuar atij të ndahen 24 milionë euro, 10 milionë për vitin e shkuar dhe 14 milionë të tjerë për këtë vit. Islanda gjithashtu ka kërkuar që të përmbushen disa projekte të rëndësishme nga ana e kosovarëve dhe UNMIK-u, ndërsa për disa projekte të cilat nuk mund të realizohen deri në datën 1 prill, ky shtet ka kërkuar të paktën të alokohen mjetet.

Kushtet
Një nga kushtet e vëna është ndërtimi i rrethimeve dhe rrugës përreth tërë perimetrit të aeroportit. Finalizimi i këtyre punëve nuk është i detyrueshëm deri në datën 1 prill. Sipas AKM-së kostoja e ndërtimit është katër milionë euro. Kushti i dytë ka të bëjë me sigurinë, kërkohet që policia kufitare të bëjë sigurimin e aeroportit. Shpenzimet për çështje të sigurisë do të përfshijnë vlerën 700 mijë euro. Deri në fund të janarit është dashur të shpallet një tender në vlerë prej 6.7 milionë eurosh për blerjen e kamionëve të zjarrfikësve. Gjatë shqyrtimit të buxhetit në mesin e vitit 2003, 1.7 milionë euro janë ndarë për këtë qëllim. Po ashtu, sipas AKM-së, duhet të lansohet edhe një tender në vlerë prej 12.5 milionë eurosh për rishtresimin e pistës dhe ndriçimin e saj, në mënyrë që punët të kryhen në vitin 2005, “deri kur pista ekzistuese e ka afatin e fundit të përdorimit”. 2.4 milionë euro të tjera duhet të alokohen për situata të jashtëzakonshme.

Aeroporti i Prishtinës është porta e vetme ajrore për vajtje-ardhjen e mërgimtarëve nga Evropa Perëndimore dhe deri më tash ka pasur statusin e aeroportit ushtarak.

ECIKS/Biznesi