Suficiti 330 milionë euro, më shumë se gjysma e buxhetit vjetor !!!

Prishtinë, 18 dhjetor 2003 – Një tepricë parash suficit, rekord, pritet të ketë në buxhetin e konsoliduar të Kosovës, më shumë se gjysmën e buxhetit për vitin 2003, që ishte rreth 530 milionë euro. Suficiti sipas ekspertëve të Fondit Monetar Ndërkombëtar që ishin javën e kaluar në vizitë në Kosovë, pritet të jetë rreth 330 milionë euro. “Para dy ditësh kemi marrë rekomandimet nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, pas vizitës së tyre në Kosovë. Ekspertët e tij kanë pasur qasje në rjedhat ekonomike, të hyrat, shpenzimet, etj., dhe kanë konstatuar se suficiti në këtë vit pritet të jetë rreth 330 milionë euro”, tha kryetari i Komisionit për buxhet në Kuvendin e Kosovës, Haki Shatri.

Suficiti rekord do të paraqitet në mot dhe ai buron nga bartja e mjeteve nga viti 2002 dhe 2003. Kjo ndodh pasi që një pjesë e mjeteve të destinuara për shumë projekte ishin bllokuar nga mungesa e nënshkrimit të PSSP-së.

Faj për këtë kanë edhe organizatat buxhetore, të cilat nuk kanë projekte dhe nuk dinë si t’i shpenzojnë mjetet që kanë në dispozicion.

Ndërkaq, Ministria e Ekonomisë dhe Financave nuk ka gjetur kohë për t’u përgjigjur në këto pyetje, rreth ndarjes së suficitit edhe pse i është kërkuar që prej dy ditësh.

AKM-ja fërkon duart

Një pjesë të suficitit prej 330 milionë euro që do të kalohen për t’u shpenzuar në vititn 2004, do t’i marrë Agjencia Kosovare e Mirëbesimit. Ajo nga Komisioni për buxhet ka kërkuar 150 milionë euro, por kjo kërkesë ishte refuzuar nga Qeveria e Kosovës.

Tash AKM-ja ka kërkuar gjysmën e kësaj shume dhe për t’i realizuar ato, “ka futur në lojë” kryeadministratorin e Kosovës, Harry Holkeri. Ky i fundit i ka dërguar një letër kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, ku e njofton se është rënë dakord që 75 milionë euro t’i ndahet AKM-së.

“Në takimin e Këshillit Ekonomik Fiskal është arritur pajtimi që t’i kemi në konsideratë nevojat e Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit, që duhet mbuluar nga suficiti që pritet të jetë në dispozicion me fillimin e vitit të ri fiskal 2004”, thuhet në letrën e kryeadministratorit Holkeri, dërguar z.Daci.

“Kjo marrëveshje e fshehtë në mes të anëtarëve vendorë dhe atyre ndërkombëtarë të Këshillit Ekonomik Fiskal, për t’i ndarë para AKM- së nuk është publikuar asnjëherë, madje nuk është përfshirë në pikat që ka trajtuar KEF-i. Për këtë janë përpiluar dy raporte”, ka thënë një burim i afërt me Qeverinë e Kosovës.

Sipas kërkesës së parë të AKM-së, pjesa më e madhe e mjeteve i destinoheshin KEK-ut. Kjo atëherë kishte nxitur reagime të mëdha. Në vitin 2002 nga suficiti KEK-ut i janë dhënë 101 milionë euro.

“Kërkesa për 75 millionë euro për nevojat financiare nga AKM-ja përfshin financimin e KEK-ut, “Trepçës” dhe të aeroportit. Këto kërkesa financiare janë realiste dhe të nevojshme. Ne dy takimet e fundit të Këshillit Ekonomik Fiskal është arritur pajtimi dhe është konfirmuar përkushtimi për shqyrtimin e këtyre kërkesave financiare në fillim të 2004 nga suficiti i buxheti të vitit 2002 dhe 2003″, ka thënë Monique de Groot.

Ndërkaq Haki Shatri, kryetar i Komisionit për buxhet në Kuvendin e Kosovës, ka theksuar se këto para nuk duhet të jepen në formë granti, por huaje. “Ligji për menaxhimin e financave publike i mundëson Qeverisë që të japë hua PTK -së, KEK-ut, Aeroportit, BPK-së dhe hekurudhave. Huaja është në pajtim me ligjin, ndërsa t’i japësh falas këto para është në kundërshtim me udhëzimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore. Ato kanë rekomanduar që ndërrmarrjet publike nuk duhet te financohen nga buxheti”.

Sipas tij është e padrejtë që AKM-ja të marrë para për këto institucione. “AKM-ja deri më tani nuk e ka parë të arsyeshme të raportojë për mënyrën e shpenzimit të mjeteve që ka marrë nga buxheti. Nuk e dimë sesi janë harxhuar këto para”, ka theksuar ai.

Që prej një janarit të vitit të ardhshëm, organizatat buxhetore që dëshirojnë të përfitojnë para nga suficiti duhet të aplikojnë përmes projekteve, të cilat edhe do të shqyrtohen më pastaj. Ishte menduar që edhe projektet e AKM-së do t’i nënshtroheshin kësaj rregulloreje.

Nga paratë që do t’i jepen AKM-së, 48 milionë euro mendohet të shkojnë në KEK, 14 milionë euro në aeroport dhe 13 milionë euro në “Trepçë”. “Nuk është në rregull. Kjo është në kundërshtim me ligjin që Kuvendi të anashkalohet në ndarjen e suficitit”, tregoi z.Shatri.

Koha Ditore