OEK synon politikë më të favorshme doganore dhe fiskale

Prizren, 18 dhjetor 2003 – Afaristë prizrenas tërhoqën vëmendjen se nëse vitin e ardhshëm nuk ulen taksat doganore (prej 10 për qind), atëherë ndërmarrjet e këtij qyteti do të jenë buzë falimentimit. Drejtuesit e Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) pohuan se në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm do të synohet një politikë më e favorshme doganore dhe fiskale.

Afaristët prizrenas mbajtën dje mbledhjen e këshillit drejtues të OEK-ut për këtë rajon, ku u shqyrtuan problemet dhe vështirësitë gjatë këtij viti. Në mbledhje mori pjesë edhe kryetari i OEK-ut, Ismail Kastrati.

Nezir Xhoxhaj, përfaqësues i OEK-ut në Prizren dhe afarist nga ky rajon, tha se taksat doganore gjatë këtij viti kanë qenë mjaft të larta, ndërsa theksoi se në rast se vitin e ardhshëm ato nuk do të ulen, atëherë ndërmarrjet e këtushme do të ballafaqohen me vështirësi tejet të mëdha, apo, sikur u shpreh ai, do të jenë buzë greminës.

“Importi me vendet fqinje është shumë i lirë, ndërsa më se 50 për qind e mallrave në Kosovë aktualisht importohen nga Serbia e Mali i Zi, jo për shkak të cilësisë, por për shkak të politikës së volitshme doganore,” tha Xhoxhaj, duke shprehur mendimin se taksat doganore për lëndën e parë gjithsesi duhen hequr vitin e ardhshëm.

Kreu i OEK-ut, Ismail Kastrati, tha se është angazhuar për një politikë më të favorshme doganore dhe fiskale, ndërkohë pritet që angazhimet e përgjithshme të OEK-ut të kenë efektin e tyre nga mesi i vitit të ardhshëm, meqenëse në fazën e parë nuk ka qenë e mundur të ndikohet në zbritjen e taksave doganore.

I pyetur se çfarë do të përmbajë kjo politikë, Kastrati shpjegoi se synohet që taksat doganore të jenë nën 5 për qind dhe të aplikohen në mënyrë lineare për të gjitha importet, jo vetëm për mallrat tregtare, por edhe për ato që shërbejnë për nxitje të zhvillimit të ekonomisë dhe sektorit të prodhimit.

Privatizimi

Duke folur për qëndrimet më të reja rreth procesit të privazitimit, Kastrati tha se OEK-u vlerëson se prona shoqërore dhe publike u takon qytetarëve të Kosovës, të cilët me mundin e tyre e krijuan atë dhe se ata duhet të qeverisin së bashku me UNMIK-un.

“Serbia nuk ka të drejtë të përzihet në procesin e privatizimit në Kosovë, por qëllimi i saj është ta bëjë sa më të vështirë jo vetëm jetën ekonomike, por edhe atë politiko – shoqërore në Kosovë,” tha kryetari i OEK-ut, Kastrati. Ai ndërkaq shtoi se ndër objektivat e këtij organizmi, për vitin e ardhshëm, është riintegrimi i ekonomisë së Kosovës në rajon, në mënyrë që ajo të mos mbetet si vrimë e zezë dhe se deri në zgjedhjen e statusit të vendit, ajo të ketë një status të veçantë dhe të trajtohet si etnitet i veçantë, në mënyrë që të anëtarësohet në organizma të ndryshëm qoftë tregtarë apo financiarë.

ECIKS / Biznesi