Suedezët: Në KEK ka abuzime dhe dështime

Prishtinë, 09 mars 2004 – “UNMIK-u ka dështuar me funksionalizimin e kompanisë (KEK-ut) me konsumatorët, me punonjësit, me sigurimin e udhëheqjes adekuate. Ka dështuar edhe me fushatën KEK-PO, me udhëheqjen e Distribucionit, me donatorët dhe përballë institucioneve politike të Kosovës”, – kështu janë shprehur drejtues të Agjencisë Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA), duke numëruar dështimet e UNMIK-ut dhe AKM-së në menaxhimin e KEK-ut.

“Ka fakte të konfirmuara nga auditorët se ka mashtrime dhe vjedhje të konsiderueshme brenda KEK-ut”, – konstaton SIDA në studimin e saj voluminoz të bërë në KEK gjatë vitit të shkuar, duke përmendur më pas shumë dështime të bëra në KEK nga ana e administruesit të saj, që është UNMIK, dhe AKM-ja. Ky studim është përfunduar në dhjetor 2003 dhe është mbajtur i fshehur deri më tani nga ata që e kanë nën kontroll korporatën.

Përgjegjësia
Pavarësisht nga tri fatkeqësitë kryesore që e kanë goditur KEK-un (dëmet nga rrufeja, zjarri në termocentrale dhe rrëshqitja në miniera), është UNMIK-AKM-ja, sipas Agjencisë Suedeze, që si administrues të KEK-ut nuk kanë arritur të ringjallin atë që dikur ka qenë kompani energjetike funksionale. Edhe përkundër asistencës së donatorëve me rreth 500 milionë euro, performancat e KEK-ut, sipas SIDA-s, kanë dështuar të përmirësohen deri në shkallë të kënaqshme dhe sot KEK-u po përballon krizë më të thellë sesa ndonjëherë tjetër, që nga koha që OKB mori përsipër përgjegjësinë. “Është e qartë se AKM-ja nuk ka qenë në gjendje ”të ruajë ose të shtojë vlerën, zbatueshmërinë dhe qeverisjen e përbashkët” të KEK-ut e që është kërkuar ta bëjë sipas mandatit të saj”. Së pari, dhe më e rëndësishmja, është se ka dështuar për sa u përket konsumatorëve të KEK-ut, thuhet në raportin e SIDA-s. Pjesa dërrmuese e familjeve të Kosovës, sipas studimit, nuk e pranojnë legjitimitetin e faturave të KEK-ut. Refuzimi i pagesave ka mbetur i madh edhe përkundër fushatës masive për promovim të pagesës, pavarësisht nga furnizimi i përmirësuar me energji dhe pavarësisht nga paraqitja e shumtë në televizione e fushatës për shkyçje. “Pas gjashtë muajsh të përpjekjeve intensive këto masa virtualisht nuk prodhuan rezultate fare”, konstaton SIDA në studimin për KEK-un. “Po shihet se kosovarët nuk pranojnë legjitimitetin e kërkesës për pagesë që ka KEK-u, i dominuar nga UNMIK-u apo AKM-ja”, duke vazhduar më pas se “nëse kosovarët duhet të votonin për menaxhim të kompanisë së tyre energjetike, atëherë UNMIK-u dhe AKM-ja do të mënjanohen menjëherë”. SIDA thotë se përgjegjësia është bërë ngarkesë që krijon humbje. Zgjidhja e problemeve të borxhit kërkon resurse financiare, të cilat AKM-ja nuk i ka, por duhet t’i tërheq. Me atë si ka vepruar AKM-ja ka humbur nga kredibiliteti ndaj donatorëve dhe agjencive financuese që duhej ta kishte për të tërhequr përkrahjen masive financiare që i nevojitet KEK-ut. SIDA konstaton dështim të AKM-së, gjithashtu, për sa u përket punonjësve. Fusha tjetër e dështimit të UNMIK-AKM-së po ashtu është menaxhimi. “Përgjatë kohëmbajtjes UNMIK-AKM-ja ka dështuar në obligimet e veta që të sigurojë KEK-un me udhëheqësi stabël dhe adekuate”, thotë Agjencia Suedeze Ndërkombëtare për Zhvillim, duke konstatuar dështim po ashtu të qeverisjes së UNMIK-AKM-së edhe në lidhje me donatorët dhe përballë institucioneve politike të Kosovës. “Disa donatorë të mëdhenj kanë sinjalizuar lidhje të konsiderueshme lidhur me KEK-un, kurse institucionet e Kosovës kanë treguar ngurrim në vazhdimin e financimit, madje edhe të paguajnë faturat e tyre në mungesë të udhëheqësisë së re. UNMIK-u më tej ka dështuar në ngritjen e gjykatave të Kosovës dhe institucioneve për zbatim të ligjit. “Pse, si është e mundur që institucioni i UN-it të dështojë kaq demonstrativisht duke mos lënë pas asnjë person si përgjegjës, mungesa e të cilit është pyetje vitale dhe fondamentale që kalon jashtë qëllimit (suazave) të këtij raporti”, shpreh habinë SIDA suedeze, për të theksuar se “UNMIK-u ka komprometuar KEK-un dhe ka njollosur rolin që ka me vendimin për raste sociale dhe ka dështuar të përmirësojë veprimet”. Sipas tyre, UNMIK-u dhe AKM-ja kanë fshehur me kujdes nga palët me interes dhe nga publiku, informatën nga raportet e auditimit për gjendjen e mjeruar të mbajtjes së llogarive në KEK dhe kontrollin e sistemit financiar. SIDA thotë se përfitimi i kredibilitetit ndaj konsumatorëve, kapërcimi i refuzimit të pagesës, ndalimi i humbjeve janë të lidhura me stafin dhe përkrahja (gradimin) e besnikërisë dhe ndershmërisë së stafit është vendimtare për funksionimin e sektorit energjetik të Kosovës në të ardhmen. Për të vepruar kështu, sipas tyre, kërkohet një numër i përmasave të menjëhershme.

ECIKS / Biznesi