Prishtinë, 23 janar 2004 – Përpilimi i një strategjie të qëndrueshme mund të bëhet vetëm me angazhimin e institucioneve shkencore të Kosovës, siç është akademia e shkencave, universiteti, institutet e ndryshme dhe ekspertët e lëmive të ndryshme, kanë konstatuar ekspertët e ekonomisë në një takim në Prishtinë, me ç’rast u debatua për strategjinë e hartuar, kohë më parë, nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.
Strategjia e zhvillimit afatmesëm ekonomik është e domosdoshme për orientimin e zhvillimin të mëtejshëm të vendit. Me strategjinë zhvillimore duhet t’u jepet përparësi degëve prodhuese, që janë bartëse të ekonomisë dhe që mund ta shpiejnë Kosovën përpara, tha kryetari i Lidhjes së Ekonomistëve Nuri Bashota dhe ka shtuar se, një strategji e qëndrueshme do të mund të hartohej vetëm me pjesëmarrjen e institucioneve shkencore të Kosovës, siç është akademia e shkencave, universiteti, institutet e ndryshme dhe ekspertët.
Kjo strategji, e cila nuk mbështetet në indikatorë të rëndësishëm, në burime dhe të dhëna statistikore, por në aplikimin e anketave, vetëm sa e zhvlerëson nivelin shkencor, theksoi Bashota.
Ndërtimi i banesave që ka përparësi sipas strategjisë së Ministrisë së tregtisë, nuk është bartës i prodhimit. Ndërsa norma e rritjes së brutoprodhimit vendor dhe të ardhurave kombëtare, që parashihet të rritet 28 përqind, është e paarritshme, tha më pas Bashota.
Me që dokumenti paraqet rrjedhat ekonomike për periudhën 5 vjeçare, atëherë atij duhet t’i qasemi më seriozisht, që të bëjmë një strategji të mirëfilltë, tha profesori Sabri Kadriu.
Ndërsa drejtori i Institutit Ekonomik, Musa Limani, tha se megjithë mangësitë, hartuesit e saj, pra Ministria e tregtisë dhe industrisë, ka vënë në pah domosdoshmërinë për një strategji zhvillimore të vendit.
Vërejtjet nga kjo tryezë do t’i drejtohen Qeverisë së Kosovës, ndërkohë që me rastin e prezantimit të kësaj strategjie, ministri i tregtisë dhe industrisë, Ali Jakupi, tha se mirëpresin të gjtiha vërejtjet dhe sugjerimet, të cilat do të përfshihen në dokumentin në fjalë, para se ai të paraqitet si strategji e qeverisë.
ECIKS / Radio Kosova