Tiranë, 23 janar 2004 – Banka Botërore po financon një projekt për shërbimet bujqësore me një vlerë prej 12 milionë dollarësh. Ky projekt, i cili ka filluar zbatimin e tij që nga viti 2001, synon që të ndihmojë dhe zhvillojë zonat rurale. Agim Shehu, drejtor i projektit “Shërbimet bujqësore”, shprehet se me këtë projekt synohet që të zhvillohen zonat rurale të vendit, si dhe të mundësohet një rritje cilësore e prodhimit bujqësor vendas. Sipas Shehut, ky projekt ka katër përbërës të rëndësishëm, të cilët janë: konsolidimi i tregut të tokës, zhvillimi i tregut të farërave, marketingu i produkteve bujqësore, si dhe aplikimi i granteve të konkurrueshme.
Synimi i hapjes së një tregu real të tokës është një projekt i cili ka filluar si projekt pilot në rrethet Korçë dhe Pogradec me qëllim nxitjen e transaksioneve të tokës bujqësore të këtyre rretheve.
“Gjatë vitit 2003 janë realizuar 123 transaksione të tokës bujqësore të shoqëruara me dokumentet përkatëse konform ligjeve”, shprehet Shehu. Sipas tij, tashmë po punohet për të instaluar në zyrën e regjistrimit të pasurive të paluajtshme një sistem modern kompjuterik të automatizuar për të hedhur të dhënat e nevojshme për regjistrimin e pasurisë. Shuma e akorduar për të realizuar këtë sistem kompjuterik është 95 milionë lekë. Shehu shprehet se po punohet dhe për përmirësimin e legjislacionit për tokën bujqësore. Zbatimi i projektit pilot në rrethet Korçë dhe Pogradec do të shërbejë dhe si një eksperiencë për ta zbatuar në rrethet e tjera.
Zhvillimi i tregut të farërave
“Ky zhvillim do të përqendrohet në mbështetjen e instituteve kërkimore, shkencore dhe blegtorale për të zhvilluar kërkimet e tyre për prodhimin e farërave të favorshme për kushtet e Shqipërisë”, shprehet Shehu. Gjatë kësaj periudhe janë realizuar dhe disa ligje për farërat dhe seleksionimin e tyre. Gjatë vitit 2003 projekti është zhvilluar me specialistë të fushës të Universitetit Bujqësor të Tiranës, si dhe me Entin Rregullator të Farërave për zhvillimin shkencor mbi farërat cilësore.
Ngritja e tregjeve bujqësore
Sipas këtij projekti, do të ngrihen tregje bujqësore moderne në Lushnjë, Vlorë, Korçë dhe Shkodër. Vlera e çdo tregu varion deri në 80 milionë lekë. Aktualisht ka përfunduar tregu i Lushnjës dhe, sipas Shehut, rezulatet e të ardhurave të arkëtuara janë realizuar 1.9 herë më shumë se planifikimi. “Brenda muajit maj,- shprehet ai,- do të përfundojë tregu i Korçës, si dhe po punohet për tregun e Vlorës dhe atë të Shkodrës. Gjatë kësaj kohe ka përfunduar fizibiliteti për vendin ku do të ngrihen këto tregje, por kemi hasur disa vështirësi me organet e pushtetit lokal”, shprehet Shehu. “Ne kemi realizuar një marrëveshje bashkëpunimi me qendrën agroushqimore të shoqatës “Sasano” në Itali”. Kjo do të ndihmojë fermerët për promovimin e prodhimeve shqiptare. Konkretisht, me tregun bujqësor të Lushnjës kanë filluar shkëmbimet tregtare.
Grantet e konkurueshme
Këto janë grante të cilat mbështesin financiarisht shoqatat e agrobiznesit apo një grup fermerësh, të cilët paraqesin ide për aplikuar teknologji të reja me qëllim rritjen e të ardhurave të fermës.
“Deri tani janë realizuar dy raunde vlerësimi, ku kanë fituar mbështetje financiare rreth 34 grante me një vlerë prej 15 mijë dollarë secili. Vlera e këtyre granteve së bashku është 400 mijë dollarë, duke zënë 37.5 për qind të vlerës totale të këtij përbërësi, e cila është 2 milionë dollarë”, shprehet drejtori i projektit Shehu.
ECIKS /BIZNESI