Oda Ekonomike paralajmëron padi kundër AKM-së

Prishtinë, 23 janar 2004 – Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) paralajmëroi të martën ngritjen e padisë në Gjykatën Supreme të Kosovës kundër atyre që penguan procesin e privatizimit dhe personave që nuk i përfillin ligjet në fuqi. Sipas OEK-ut, ecuritë e deritashme dhe autorizimet e Agjencionit Kosovar të Mirëbesimit (AKM) për privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore, deri sa të privatizohen ato, nuk kanë treguar se AKM-ja ka kapacitete të mjaftueshme profesionale që të bëjë këtë menaxhim. OEK propozon që të gjendet një zgjidhje më e përshtatshme për menaxhimin e ndërmarrjeve shoqërore e publike në mënyrë që ky menaxhim të mos ndikojë negativisht në veprimtarinë ekonomike të këtyre ndërmarrjeve.

Ismail Kastrati, kryetari i OEK-ut, tha se vendimet dhe veprimet e AKM-së po e shkatërrojnë ekonominë shoqërore të Kosovës dhe po u shkaktojnë dëme edhe kompanive private dhe bankave komerciale, duke i bllokuar mjetet e tyre dhe nënshkrimin e kontratave për fituesit e tenderëve. Kastrati tha se bllokimi i procesit të privatizimit po krijon një situatë të pasigurisë së plotë juridike jo vetëm për kompanitë ekonomike nga vendi dhe bota, por edhe për qytetarët e Kosovës me pasoja të paparapara që lidhen me krizën sociale. Kryetari i OEK-ut tha se përveç bllokimit të procesit të privatizimit shkelen edhe rregullat në fuqi nga ana e atyre që i kanë miratuar këto rregullativa dhe nga instuticionet e autorizuara për implementimin e tyre. Oda vlerëson se veprimet e këtilla të Shtyllës IV të UNMIK-ut, si dhe përgjegjësve të AKM-së janë të papranueshme, të padrejta dhe me pasoja të shumëfishta negative për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Gjithashtu, po aktualizohen edhe dilemat e sqaruara rreth kompetencave të vendorëve në privatizim, rreth raporteve pronësore të vendosura me ligje diskriminuese të Serbisë etj.

ECIKS / Biznesi