Statusi i padefinuar ndikon në stagnimin ekonomik

Prishtinë, 09 qershor 2004 – Përfaqësues vendorë dhe ndërkombëtarë, në mesin e të cilëve përfaqësues nga zyra e kryetarit, nga qeveria, parlamenti, shtylla e katërt e UNMIK-ut si dhe ekspertë të ekonomisë vendore, diskutuan sot në Prishtinë për idetë, konceptet dhe pengesat e zhvillimit ekonomik të Kosovës.

Statusi i padefinuar i Kosovës, infrastruktura ligjore, privatizimi, bartja e përgjegjësive tek vendorët si dhe politikat fiskale, janë faktorët kryesorë që ndikojnë në stagnimin ekonomik të Kosovës, u tha në tryezën e organizuar nga fondacioni gjerman Fridrih Nauman Shtiftung, në bashkëpunim me OSBE-në.

Banorët e Kosovës janë të brengosur për zhvillimin ekonomik, e sidomos të rinjtë, prandaj të gjithë bashkërisht duhet të punojmë për hartimin e një strategjie për Kosovën. Kështu u tha në tryezën e organizuar nga fondacioni Fridrih Nauman dhe OSBE-ja. Këto dy organizata bashkë me Kuvendin po punojnë për zhvillimin e një legjislacioni ekonomik, ku është bërë përparim i kënaqshëm, tha përfaqësuesi i OSBE-së, Brajan Hopkins. “Fusha në të cilën duhet të fokusohemi më shumë është problemi i implementimit. Pasi Kuvendi ka ngritur dhe ka adaptuar një bazë ligjore, duhet të merret parasysh se si të implementohen ligjet e reja. Kjo do të jetë një hap përpara për të gjetur rrugët që institucionet të punojnë së bashku për adresimin e këtyre çështjeve”.

Qeveria ka bërë përpjekje të vazhdueshme për adresimin e çështjeve që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik. Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ali Sadriu duke paraqitur një raport të gjerë, tha se disa nga komponentet përbërëse të strategjisë së zhvillimit janë: arritja e stabilizimit fiskal, privatizimi duke filluar nga shërbimet publike, në veçanti me telekomin, pasi tregu është globalizuar, duke e përcjellë me privatizimin e sistemit bankar, etj. “Edhepse një pjesë e faktorëve kufizues të zhvillimit nuk lidhen me statusin e Kosovës, mund të thuhet se statusi aktual i Kosovës paraqitet pengesë e rëndësishme e zhvillimit të Kosovës”.

Ministri i tregtisë dhe industrisë Ali Jakupi, tha se rezoluta 1244 nuk interpretohet si duhet kur është fjala për implementimin e saj në fushën e zhvillimit ekonomik. Ndërsa stagnimi i zhvillimit ekonomik është burim i krizave, burim i pakënaqësive, humbje e shpresave në perspektiva dhe fatkeqësi për popullatën e Kosovës, theksoi ministri Jakupi, i cili përmendi strategjinë për zhvillim të Kosovës që tash e sa muaj është në diskutim publik. “Në koncept dhe përmbajtje janë vënë në spikamë mundësitë e zhvillimit për të dalë nga stagnimet dhe për të krijuar ambient prodhues konkurrent me tipare të mundeisve integruese. Në saje të situatës ekzistuese është gjetur mundësia e përcaktimit sektorial, sipas resurseve disponibile dhe atyre që mund të krijohen dhe të aktivizohen”.

Berim Ramosaj, këshilltar ekonomik i kryetarit të Kosovës, u shpreh se ngecja e zhvillimit ekonomik jep sinjale të qarta për proceset e një recesioni ekonomik në të cilin po hyjmë. Përfaqësuesit e disa komisioneve të kuvendit, paraqitën shumë vërejtje sa i përket procesit zhvillimor, me theks të veçantë në privatizimin.

Gani Prekopuca, nga komisioni parlamentar për tregti dhe industri: “kush mund të na thotë në mënyrë decidive përse është ndërprerë privatizimi, ku janë 135 milionë euro në emër të atyre 18 firmave, ku janë paratë e dedikuara për punëtorët (20 përqindëshi), kush mund të thotë se a është ndërprerë për shkak të parrëgullsive apo ndikimit të Serbisë, në mungesë të një statusi final të Kosovës”.

Faktorë relevantë që mund të ndikojnë në përmirësimin e gjendjes u theksua të jenë: programi për nxitjen e zhvillimit të sektorit privat, vazhdimi i ndërtimit të poltikave liberale ekonomike, krijimi i një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm për kapitalin e huaj, ndërtimin e një infrastrukture të qëndrueshme ekonomike dhe juridike sipas standardeve evropiane, transformimi i institucioneve të përkohshme të vetëqeverisjes në drejtim të funksionalizimit dhe profesionalizimit si dhe trasnformimi i rolit të UNMIK-ut në rol më funksional, sidomos i shtyllës së katërt.

Në këtë tryezë ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e shtyllës së katërt të UNMIK-ut, RIINVEST-it si dhe shumë ekspertë vendorë të ekonomisë. Ndërsa nuk ishte i pranishëm shefi i shtyllës së katërt Nikolas Lambsdorf.

ECIKS / RTKlive