Prishtinë, 09 qershor 2004 – Ka hyrë në fuqi Rregullorja 2004/13 mbi zero tatimin doganor për mallërat kapitale dhe gjysmëprodhime, përkatësisht lëndën e parë. Ky është një hap tjetër me rëndësi për ekonominë e Kosovës.
Kjo rregullore zëvendëson Anekset (shtesat) e Rregullores 1999/3 mbi “Themelimin e Doganës dhe Shërbimeve të tjera përkatëse në Kosovë”. Deri më tani, Rregullorja 1999/3 ka detyruar pagesën e taksës doganore prej dhjetë përqind për të gjitha mallërat e drejtuara për Kosovë.
Në mënyrë që të përmirësohen kushtet e investimit dhe prodhimtaria në Kosovë, Rregullorja 2004/13 paraqet zero përqind të taksës doganore për mallëra kapitale dhe gjysëm-prodhime (lëndën e parë). Kjo rregullore është paraqitur shpejt pasi që Rregullorja 2004/1 mbi Kodin Doganor për Kosovën ka ofruar mekanizma të nevojshëm ligjor. Importimi i këtyre mallërave pa taksa doganore, pritet të ketë efekt të konsiderueshëm pozitiv për prodhimtarinë vendore në Kosovë.
Rregullorja pati zanafillën në një propozim të bërë në Këshillin Ekonomik dhe Fiskal nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë. Ministri Ali Sadriu u shpreh pozitivisht për këto ndryshime.
Humbjet e parapara në buxhetin e konsoliduar të Kosovës për shkak të uljes së normave doganore për lëndë bujqësore dhe kafshë për reprodukim, për këtë vit vlerësohet të jenë mbi 4.5 milionë euro, kurse vitin e ardhshëm mbi 9 milionë. Këto humbje pritet të kompensohen nëpërmes zhvillimit të bujqësisë dhe të sektorëve të tjerë prodhues.
ECIKS / RTK