Statistikat: 200 mijë turistë kanë hyrë në Shqipëri

Tiranë, 27 gusht 2004 – Gjatë 7-mujorit të parë të këtij viti, numri i vizitorëve të huaj që kanë hyrë në vendin tonë për qëllime turistike arrin shifrën e 213,904 personave. Krahasuar me statistikat e vitit të kaluar, ky numër shënon një rritje të dukshme. Kështu, gjatë periudhës janar-korrik të vitit 2003, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në Shqipëri si vizitorë, apo turistë, ka qenë 176,301. Ndërkohë, duke parë numrin e këtyre vizitorëve vetëm për muajin korrik, që cilësohet si piku i fluksit të të huajve të ardhur si turistë në vendin tonë, për këtë vit numërohen 85,568 persona. Ndërkohë që për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ky numër arrin në 73,128 turistë.

Burime nga Ministria e Rregullimit të Territorit dhe Turizmit, bëjnë të ditur se këto janë shifra të sakta, të nxjerra nga Ministria e Rendit, e cila është e para që e merr këtë informacion nga kontrolli i efektivave të saj në pikat kufitare të vendit. Më pas këto shifra konfirmohen edhe nga zyrat rajonale të turizmit në vende të ndryshme turistike, si dhe nga Instituti i Statistikave (INSTAT). Numri i të huajve që hyjnë në një vend të caktuar, përllogaritet nga këto institucione duke u bazuar në standartet e përcaktuara nga Organizata Botërore e Turizmit (O.B.T.). Po kështu, sipas të dhënave të nxjerra në bazë të këtyre standarteve, bëhet edhe paraqitja grafike e hyrjes së shtetasve të huaj në pikat e kalimit kufitar.

Klasifikimi
Standartizmi sipas kritereve të kësaj organizate, konsiston në kategorizimin e numrit total të të huajve që hyjnë në një vend në katër nivele bazë. Pra, sipas qëllimit të udhëtimit të shtetasve të huaj që hyjnë në vend, ky numër ndahet në ata që vijnë për vizitë ose turizëm, në të huaj që vijnë për tregti, në ata që kalojnë tranzit për të shkuar në një vend tjetër, si dhe të tjerë që vijnë për qëllime të ndryshme sociale. Lidhur me këtë standartizim të O.B.T.-së, shifrat e nxjerra nga Ministria e Rendit, zyrat rajonale të turizmit në rrethe dhe INSTAT-i, për të huajt që kanë hyrë në Shqipëri gjatë 7-mujorit të vitit të kaluar, tregojnë se nga 249,544 të huaj të ardhur në total në vendin tonë, 176,301 janë për qëllime vizite ose turizëm, 30,479 për tregti, 5,376 kanë kaluar tranzit dhe 37,388 të tjerë për qëllime të ndryshme private. Po sipas këtij standartizimi, nga gjithsej 107,188 të huajt e ardhur në Shqipëri gjatë korrikut të vitit 2003, 73128 prej tyre kanë qenë vizitorë dhe turistë, 4941 për tregti, 24,761 kanë kaluar tranzit dhe 4,358 për qëllime të tjera. Ndërkohë që për korrikun këtij viti, të dhënat e marra nga instituconet përkatëse mbi fluksin e të huajve të ardhur në vendin tonë, tregojnë se nga 105,398 që është numri i tyre në total, 85,568 prej tyre kanë hyrë për qëllime turistike, 7,008 për tregti, 8,127 tranzit dhe 4,695 për të tjera qëllime. Paralelisht, burime nga Ministria e Rregullimit të Teritorit dhe Turizmit kanë bërë të ditur para disa ditësh se në të njëjtën kohë është rritur edhe numri i pushuesve shqiptarë drejt vendeve të huaja. Kështu sipas parashikimeve të specialistëve pranë kësaj ministrie është parashikuar që deri në fund të këtij sezoni turistik do të numërohen rreth 30 mijë shqiptarë të dalë jashtë vendit.

ECIKS / Biznesi