Austrian Airlines shton fluturimet drejt Tiranës

Tiranë, 30 gusht 2004 – Kompania austriake e fluturimeve ajrore “Austrian Airlines” do të rrisë numrin e fluturimeve nga Viena në Tiranë dhe anasjelltas. Një fakt të tillë e bëri të ditur gjatë një konference për shtyp, shefi i tregtisë pranë kësaj kompanie, Josef Burger. Sipas tij duke filluar që nga fillimi i vitit të ardhshëm, Austrian Airlines do të fluturojë plot 21 herë në jave drejt Aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”dhe atij të Vienës. Thënë ndryshe ajo do të kryejë tre fluturime në ditë. Rritjen e numrit të fluturimeve, Josef Burger, e argumentoi me faktin se operimi në këtë linjë ka rezultuar i suksesshëm. Përveç kësaj si nevojë për të rritur numrin e fluturimeve ndërmjet dy kryeqyteteve ka qenë edhe rritja e numrit të pasagjerëve dhe të marrveshjeve kodshering, të kësaj kompanie me kompani të tjera fluturuese. Aktualisht kompania në fjalë fluturon 17 herë në javë drejt Tiranës dhe anasjelltas. Ajo fluturon 2 herë çdo ditë Vienë-Tiranë dhe anasjelltas, si dhe 3 herë në javë të hënën, mërkurën dhe të premten pasdite. Gjatë vitit që lamë pas ajo ka transportuar 18 mijë pasagjerë nga, dhe drejt Tiranës, kundrejt 15 mijë të një viti më parë. Ndërsa përfitimi po për këtë vit ka qenë 7 milion dollarë amerikan. Ndërsa fitimi i arritur nga fluturimet drejt Europës Lindore llogaritet të jetë 45.5 milion dollarë. Gjithashtu po sipas tij në bazë të statistikave rreth 15 për qind e shkëmbimeve të transportit ajror në Aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” vijnë nga transporti i kësaj kompanie.

Çmimet e Austrian Airlines nuk janë të larta
Ndërsa përsa i përket pyetjes së gazetarit se nëse çmimet me të cilat operojnë kompanitë ajrore në vendet e Evropes Lindore dhe atyre të varfra janë të larta ai iu përgjigj: Çmimet me të cilat operon kompania e tij nuk janë të larta. Madje ato janë në përputhje me kriteret, kërkesat dhe koston e këtij lloj transporti. Pra ajo ka një vlerë të caktuar e cila është e reflektuar në çmimin e biletës. “Megjithatë”, u shpreh ai “cilësia ka edhe çmimin e saj përkatës”.

Kompania Austrian Airlines është prezente që prej vitit 1993 në vendin tonë. Ajo në vetvete është e përbërë nga tre pjesë, nënkompani, të cilat janë: “Austrian Airlines”, “Austrian Arrows” si dhe “Lauda Air”. Ajo ka në pronësi të sajë 94 avionë dhe një numër punonjësish prej 7200 vetësh. Sipas statistikave çdo 7.5 minuta një avion i kësaj kompanie ngrihet në fluturim drejt një destinacioni. Aktualisht ajo fluturon në 130 destinacione të 66 vendeve të ndryshme të të gjithë kontinenteve. Çdo vit ajo transporton mesatarisht 8.5 milion pasagjerë drejt vendeve të ndryshme të botës.

ECIKS / Biznesi