Tiranë, 30 gusht 2004 – Qeveria shqiptare ka miratuar, në mbledhjen fundit të saj, një marrëveshje e cila do të lejojë dy kompani të huaja që, të kërkojnë naftë, në detin Adriatik. Në njoftimin zyrtar të qeverisë, bëhet e ditur se “nga ana e Këshillit të Ministrave u miratua vendimi ‘për miratimin e marrëveshjes me ndarje prodhimi, ndërmjet ministrisë së Industrisë dhe të Energjetikës të Republikës së Shqipërisë dhe OMV Albanian Adriatic Sea Exploration BMBH e Lundin Netherlands B.V, për kërkimin dhe prodhimin e Hidrokarbureve në bllokun ‘Durrësi’”. Marrëveshja në fjalë do të lejojë kompanitë që kanë disa vite që operojnë në Shqipëri, që të shpojnë puse kërkimorë në bllokun “Durrësi”. Kompania OMV, ka bërë dhe më parë kërkime të ngjashme në vendin tonë, pasi ajo është e pranishme në Shqipëri që prej vitit 1991. Aktiviteti i saj i parë për kërkimin e naftës dhe të gazit, është përqëndruar në bllokun “Rodoni-1”, që ndodhet në detin Adriatik. Më pas, pasi “dështoi” në kërkimet detare, aktiviteti i kësaj kompanie u zgjerua edhe në tokë.
Agron Xhavo, i cili mban postin e drejtorit të Agjensisë Kombëtare të Hidrokarbureve, bëri të ditur mbrëmë, për “Shekulli”-n, se kompania OMV ka bërë shpime kërkimore në bllokun “Rodoni 1”, në Gjirokastër, në pusin Palokastra dhe, së fundmi në Vlorë, në zonën e Kaninës. Në dy shpimet e para, kjo kompani nuk ka arritur të gjejë shtresa naftëmbajtëse, ndërsa në zonën e Kaninës shpimi po vazhon akoma dhe, së shpejti, do të bëhen të ditura edhe rezultatet e kërkimit.
ECIKS / Shekulli