Gjakovë, 11 qershor 2004 – Në vjeshtë pritet që të fillojë nga puna Stacioni Hidrometeorologjik, i pari i këtij lloji në Dukagjin, i cili parashihet të jetë i ndërtuar sipas normave bashkëkohore. “Janë siguruar fondet nga Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor që për Rrafshin e Dukagjinit të fillojë ndërtimi i Stacionit Hidrometeorologjik i cili do të ishte mjaft i vlefshëm për zhvillimin e bujqësisë në rajon, për faktin se aty do të jepen të dhëna të sakta meteorologjike në bazë të të cilave fermerët do të jenë në gjendje të planifikojnë punët sezonale në bujqësi”, tha Ndue Muçaj, drejtor për Agrokulturë në Gjakovë.
Sipas tij, shuma e projektit vlerësohet mbi 40 mijë euro. Në kuadër të Stacionit Hidrometeorologjik do të funksionojë edhe laboratori ku do të bëhen analizat kimiko-biologjike të ujit, në të cilin do të bëhet matja e parametrave biologjikë dhe kimikë të ujit të hidrosistemit të Radoniqit, nga i cili furnizohen me ujë të pijshëm Gjakova, Rahoveci dhe Malisheva.
Përveç kësaj, në lumenjtë Ereniku dhe Krena do të vendosen ujëmatësit kontrollues të cilësisë së ujit. Vendndodhja e këtij stacioni i cili ka nisur të ndërtohet gjatë muajit të kaluar është në afërsi të Bodrumit të Verës në fshatin Qerim, vend në të cilin KK i Gjakovës ka ndarë 1 hektar tokë enkas për këtë qëllim.
”Ky është një terren mjaft i përshtatshëm vrojtues për lëvizjet e përgjithshme të ajrit për mbarë territorin e komunës sonë dhe përreth. Deri tani janë kryer në tërësi themelet e ndërtesës, ndërsa përfundimi i punimeve ndërtimore dhe pajisja me mjete bashkëkohore të punës pritet të bëhet deri në fund të këtij viti”, – tha Muçaj.
ECIKS / Biznesi