Prishtinë, 6 dhjetor 2004 – Qeveria e re e Kosovës, e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, sot edhe zyrtarisht filloi punën. Në një cermoni rasti kryeministri i deritashëm Bajram Rexhepi ia dorëzoi postin kryeministrit të ri Haradinaj.
Duke folur në një konferencë shtypi pas ceremonisë Rexhepi i ka falenderuar të gjithë kosovarët pa dallime partiake për siç tha ai mbështetjen që më kanë dhënë gjatë kohës kur isha kryeministër. Ai tha se gjatë mandatit trevjeçar është përpjekur që të krijojë një qeverisje të efektshme dhe të ndershme, por tha Rexhepi shumë herë nuk e kam pasur përkrahjen e nevojshme. Kryeministri i parë i Kosovës i pranuar ndërkombëtarisht tha se po largohej nga posti me ndjenja të përziera. “Mbi të gjitha jam përpjekur që të heq pengesat e shumta në komunikim e të tejkaloj barrierat jo të pakëta përçarëse. Që në mënyrë dinjitoze t’iu përfaqësojë karshi botës e të hapë rrugë të reja të komunikimit me bashkësinë ndërkombëtare në mënyrë që të fitohen miq e përkrahje në favor të zgjidhjes së shpejtë e të drejtë të statusit të Kosovës” – theksoi Rexhepi. Kryeministri i ri Ramush Hardinaj ndërkaq e ka vlerësuar të suksesshme punën që ka bërë qeveria Rexhepi. Ai tha se Qeveria e re do të vazhdojë punën aty ku ka mbetur. “Do të vazhdojmë me agjendën e standardeve për Kosovën do të arrijmë suksesshëm në maj. Do të punojmë me përkushtim për zhvillimin e gjithmbarshëm të Kosovës” tha Haradinaj. Ai ndërkaq nuk deshi të komentojë fare deklaratat dhe akuzat që po i bëhën atij nga Beogradi, akuza këto që kanë të bëjnë më rolin e tij gjatë luftës në Kosovë. “Kemi shumë punë në Kosovë dhe energjitë tona, kohën tonë potencialin që e kemi do ta orientojmë në punën që na pret këtu” tha ai.
Ramush Haradinaj u zgjodh kryeministër nga Kuvendi të premten. Ai erdhi në këtë post pas një marrëveshjeje për koalicion që u arrit ndërmjet Lidhjes Demokratike dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në bazë të rezultatit të zgjedhjeve të 23 tetorit.
ECIKS / RTK