Prishtinë, 11 prill 2007 – Investimet sllovene në Kosovë, të vlerësuara nga disa afaristë kosovarë si më të mëdhatë sa i përket investimeve të jashtme, nga përfaqësuesit e komunitetit të biznesit llogariten jo të favorshme për shkak të konkurrencës dhe bashkëpunimit jo reciprok. Deri tani sllovenët kanë arritur të krijojnë një qëndrueshmëri të fortë në tregun bankarë të Kosovës sa i përket përqindjes së kapitalit të tyre në bankat komerciale në vend.
Interesimi slloven në sektorin financiar ka qenë më i theksuar sesa në sektorët e tjerë ekonomikë, që dëshmon fakti se rrjeti i investimeve nga ky shtet është i orientuar kryesisht në banka, telefoni, kompani të sigurimeve dhe fonde pensionale.
Vetëm një javë më parë “Banka e Re e Lubjanës” ka finalizuar marrëveshjen me njërën nga bankat e Kosovës, “Kasa Bank”, nga e cila ka blerë 51 për qind të aksioneve, për një shumë që nga burimet jo zyrtare thuhet të jetë mbi 75 milionë euro. Deri më tani sllovenët në KSB nëpërmjet “Faktor Bankës”, kanë zotëruar 26 për qind të aksioneve dhe me nënshkrimin e kësaj marrëveshje pronësia sllovene në këtë bankë ka arritur në 76.1 për qind. Drejtori Gjeneral i Kasabankës, i cili u lirua përkohësisht nga arresti për të marrë pjesë në ceremoninë e shitjes, Milazim Abazi, me rastin e shitjes së “Kasabankës” ka pohuar se kosovarët rrugën drejt Bashkimit Evropian do ta gjejnë nëpërmes Sllovenisë, duke shndërruar kështu ekonominë e Kosovës në ekonomi të orientuar kah eksporti.
Ai pati përmendur se Sllovenia radhitet e para sa i përket investimeve të huaja në Kosovë, e cila për këtë vit bashkë me licencën për telefoni. Blerja e bankave nga sllovenët nuk ka përfunduar me Kasabankën, por ata tashmë i kanë vënë syrin edhe bankës tjetër që dikur ishte në krizë të falimentonte, “Bankës së Re të Kosovës”, në të cilën pretendojnë të marrin në zotërim mbi 51 për qind të aksioneve. Investimi tjetër, për të cilin janë hapur shumë polemika është ai për operatorë të dytë të telefonisë mobile, me që rast “Telekom Slovenije”, në konzorcium me kompaninë vendore “Ipko Net”, kanë paguar 75 milionë euro për licencë. Drejtori i “Telekom Slovenije”, Bojan Dremelj, me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes pati theksuar se vendimi për të hyrë në tregun e Kosovë është pjesë e strategjisë së gjatë dhe kjo fatmirësisht i është shpërblyer.
Sipas Dremelj, ky është investimi më i madh që ka bërë ndonjëherë Sllovenia ndonjëherë jashtë vendit dhe ka premtuar që këtë projekt ta implementojë me sukses. “Eshtë investimi më i madh që ka bërë Sllovenia ndonjëherë jashtë vendit, gjithashtu besoj se është investimi më i madh i jashtëm në Kosovë”, pati theksuar Dremelj. Telekomi i Sllovenisë planifikon që për implementimin komplet të rrjetit të investojë në këtë projekt mbi 200 milion euro dhe brenda vitit të fillojë me shërbimet e telefonisë. Po ashtu, në nëntor të vitit 2006 “Prva pokojninska druzba” nga Lubjana së bashku me korporatën “Dukagjini’, nga Peja, kanë themeluar Fondi Slloveno-Kosovar i Pensioneve me një kapital themelor prej 4 milionë eurosh. “Prva pokojninska druzba” është shoqëria më e vjetër pensionale në Slloveni, e regjistruar për kryerjen e sigurimit suplementar pensional në të cilën janë inkorporuar mbi 2,150 ndërmarrje me 74,000 të siguruar në Slloveni, që në rajon administron 8 fonde pensionale me 137,000 të siguruar dhe me mjete afër 140 milionë euro nën menaxhim. Sa i përket, investimeve tjera që rrjeti i afaristëve nga sllovenia, qofshin ato direkte apo indirekte, vlerësohen të jenë bërë në biznese kyçe për ekonominë e Kosovës. Kompania e sigurimeve “Sigkos”, është vetëm njëra nga kompanitë e shumta në tregun kosovarë që kanë investuar në vlerë më të vogël, ashtu sikur “Semenarna”, që ka investuar në farëra rreth 4 milionë euro.
Në anën tjetër përfaqësues të komunitetit të biznesit në Kosovë, vlerësojnë të pafavorshme për shkak të ngritjes së konkurrencës dhe bashkëpunimit jo reciprok. Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thekson se deri tash nuk ka ekzistuar një bashkëpunim reciprok, sepse afarizmi është vetëm një drejtimesh në kuptimin e importit dhe eksportit. “Investime nga shteti Slloven si investime direkte dhe indirekte përmes eksportit të produkteve janë mjaft konkurrent, e që një gjë të tillë për kosovarët nuk mund ta bëjnë në slloveni për shkak të kostos së lartë të prodhimit”, pohon Shahini.
Megjithatë, Shahini e çmon punën që ata kanë bërë deri më tani duke theksuar se sllovenët janë të parët nga vendet e ish Jugosllavisë kanë hyrë në tregun financiar siç janë rastet e blerjes së aksioneve në bankat komerciale në Kosovë përmes përfaqësuesve të tyre në këtë vend. Ai ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të krijon një mundësi ligjore për të ndihmuar biznesin kosovarë në mënyrë që edhe prodhimet vendore të jenë konkurruese në tregun e jashtëm. Drejtori i Agjencisë Kosovare për Promovimin e Investimeve, Ejup Fejza, ka pohuar se investimet sllovene prinë për nga shuma e investuar në vendet e Evropës Juglindore.
“Dalë ngadalë Sllovenia po bëhet faktor me rëndësi sa i përket investimeve në Kosovë, e cila përmes kompanive të sajë ka arritur të hapë vende të reja të punës dhe të ndikoj në rritjen ekonomike të vendit”, ka pohuar Fejza. Gjithashtu ai ka thënë se janë duke punuar në arritjen e marrëveshjes për mbrojtjen dhe garantimin e investimeve reciproke, gjë që do t’i jepte përparësi edhe prodhuesve kosovarë të dalin në tregun e jashtëm dhe do të thithnin më tepër investime nga Sllovenia.
ECIKS / Koha Ditore