S’ka zhvillim ekonomik pa pavarsi

Pragë, 23 gusht 2004 – Gazeta kryesore Çeke për ekonomi, “Hospodarske Noviny” ka publikuar javën e kaluar një artikull / intervistë lidhur me gjendjen ekonomike në Kosovë para zgjedhjeve të reja, në kontekst të zgjidhjes së statusit final të saj.

Duke cituar kryetarin e Nismës Ekonomike për Kosovën (ECIKS) nga Vjena, z. Kujtim Dobruna, gazeta konkludon se zhvillimi ekonomik i Kosovës nuk është i mundur pa pavarsinë e saj.

Ndikimi i zgjedhjeve të ardhshme në ekonominë e Kosovës, bllokimi i paarsyeshëm i procesit të privatizimit, krimi i organizuar në rajon si dhe shpresat e kosovarëve për zhvillim ekonomik kanë qenë temat kryesore të intervistës.

Ne pyetjen e gazetës se si gjendja ekonomike ndikon ne opinionet lidhur me statusin final të Kosovës, z. Dobruna konkludoi se statusi i pazgjidhur është problemi kryesor i ekonomisë së Kosovës. Statusi i padefinuar politik pengon Kosovën në tërheqjen e investimeve të huaja dhe e pamundëson marrjen e kredive nga institucionet financiare ndërkombëtare. Prandaj nuk duhet pritur zhvillim të qëndrueshëm ekonomik pa zgjidhur statusin final të Kosovës. Sidoqoftë, Nisma Ekonomike për Kosovën është e bindur se Kosova, me tatimet më të ulta në Evropë dhe me një legjislaturë moderne që nuk njeh dallim në mes të investitorëve vendas dhe të huaj, ofron nje klimë të sigurtë e profitabile për investime të huaja.

Nisma Ekonomike për Kosovën (ECIKS) është një organizatë joprofitabile nga Vjena që si qëllim kryesor ka tërheqjen e investitorëve të huaj në Kosovë. Përveq në vendet e zhvilluara të Evropës perëndimore, ECIKS do të koncentrohet edhe në paraqitjen e mundësive të Kosovës para investitorëve potencial në Republikën Çeke.

Hospodarske Noviny / ECIKS