Siemens zhvendosë 10.000 vende të punës në Evropën lindore

BERLIN, 22 DHJETOR 2003 – Drejtori i gjigandit teknologjik gjerman “Siemens”, Johannes Feldmeier, ka paralajmëruar për “Financial Times Deutschland” se kompania e tij do ta shfrytëzojë zgjerimin e Bashkimit Evropian në lindje dhe se me qëllim të zbritjes së shpenzimeve të kompanisë, do të zhvendosë rreth 10.000 vende pune në Evropën Lindore, kryesisht nga sektori i zhvillimit të softverit. Ky numër paraqet rreth 1/3 e numrit të përgjithshëm të punonjësve të Siemens në sektorin e zhvillimit të softverit.

Feldmeier ka shtuar se Siemens ka për qëllim të shfrytëzojë mundësitë për zhvillim të Evropës së mesme dhe lindore, ku fuqia punëtore është e lirë por edhe kualitative. Siemensi është kërcënuar edhe në nëntor të këtij viti që për shkak të politikave jo të favorshme tatimore të qeverisë së kancelarit Shroeder do të zhvendosë nga Gjermania një numër të konsiderueshëm të vendeve të punës.

Edhe shumë ndërmarrje tjera gjermane, posaçërisht në fushën e shërbimeve informative dhe softverike, kanë paralajmëruar një zhvendosje të tillë të vendeve të punës.

ECIKS