Shqipëri: Qeveria ratifikon MTL-në me Serbinë e Malin e Zi

TIRANË, 22 DHJETOR 2003 – Këshilli i Ministrave në mbledhjen e tij të radhës miratoi projektligjin, “Për ratifikimin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Serbisë dhe Malit të Zi”.

Marrëveshja e Tregtisë së Lirë ndërmjet dy vendeve u nënshkrua në muajin Nëntor të këtij viti në Romë dhe është rezultat i proçesit të angazhimit rajonal. Ndërkohë është bashkërenduar dhe koordinuar edhe me komunitetin e biznesit shqiptar, ndërmjet pjesmarrësve në grupin ndërministror, por edhe konsultave dhe thithjes së mendimeve nga ky komunitet.

Për ndryshim nga të gjitha marrëveshjet e tjera të këtij lloji të nënshkruara deri tani, MTL me Serbinë dhe Malin e Zi pati të domosdoshëm një raund të tretë negociimi, për arsye se komuniteti i biznesit të bujqësisë paraqiti vërejtje lidhur me sasitë e konçensionit të importit shqiptar të miellit nga Serbia dhe Mali i Zi.

ECIKS / Balkanweb