Shtyhet vendimi për shitjen e Ferronikelit

Për shkak të mosmarrëveshjeve mes përfaqësuesve të qeverisë së Kosovës dhe UNMIK-ut, është shtyrë vendimi për shitjen e Ferronikelit

Prishtinë, 16 qershor 2005 – Kompania e Ferronikelit në Kosovë nuk do të shitet. Nga kjo shtyrje e vendimit për shitjen e kësaj kompania pritet të përfitojë kompania shqiptare Adi-Nikel.

Edhe pse qe caktuar për datën 16 të këtij muaji shitja e Ferronikelit, bordi i drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit nuk do të mblidhet para fundit të muajit, për shkak të mosmarrëveshjeve midis përfaqësuesve të qeverisë dhe atyre të UNMIK-ut. Po ashtu edhe vendimi për shpalljen e fituesit përfundimtar të Ferronikelit nuk do të merret deri në fund të muajit.

“Mungesa e dy ministrave të përfaqësuar në bordin e AKM-së, Bujar Dugolli dhe Haki Shatri, ka bërë që të shtyhet mbledhja e bordit”. Ministri Dugolli këto ditë do të marrë pjesë në një takim për tregti të lirë, që do të mbahet në Kroaci, ndërkaq edhe ministri Shatri, siç mësohet, gjendet për një vizitë zyrtare jashtë Kosovës.

Edhe pse thuhet se mosmarrëveshjet mes anëtarëve vendorë dhe atyre ndërkombëtarë, të përfaqësuar në bordin e AKM-së, kanë të bëjnë më shumë me ditën se kur duhet të mbahet mbledhja e radhës, burime të tjera thonë se kjo lidhet më shumë me shitjen e kompleksit industrial Ferronikeli.

Vendimin për ta shpallur përfundimisht fituesin e Ferronikelit duhet ta marrë Bordi i AKM-së. Drejtuesit e AKM-së e kanë kryer punën e vet dhe me tenderin special të shpallur për Ferronikelin, muajin e shkuar ka shpallur fitues ofertën më të lartë, firmën nga Shqipëria Adi-Nikel, e cila ofertoi me një çmim prej 49 milionë eurosh, përballë kompanisë së vetme konkurrente nga Anglia, Alferon, me ofertë 33 milionë euro. Mirëpo drejtuesit e AKM-së nuk mundën ta shpallnin fituesin përfundimtar, sepse ishin vetëm dy oferta. Sipas rregullores së AKM-së, në rastet kur në tender janë më pak se tri oferta për një ndërmarrje, atëherë vendimi përfundimtar i takon bordit të AKM-së. Ky organ duhej të merrte vendim në takimin e kaluar, por në vend se të merrej vendim, bordi, përkatësisht përfaqësuesit e qeverisë në bord, kërkuan nga AKM-ja që të merrnin informacion shtesë nga Adi-Nikel, i shpallur fitues i përkohshëm për veprimtarinë e saj, gjendjen financiare, si dhe informacion për kompanitë, me të cilat ajo është aksionare etj. Bashkë me këtë kërkesë anëtarët e bordit caktuan edhe një afat deri më 16 qershor, si ditën e fundit për të sjellë informacionet e kërkuara Adi-Nikeli, pra deri ditën kur ishte caktuar të mbahej mbledhja e bordit të AKM-së, në mënyrë që më pas të merrej vendimi përfundimtar për të shpallur fituesin e Ferronikelit. Sipas burimeve të sigurta në AKM, deri ditën e djeshme firma shqiptare nuk ka ofruar ndonjë të dhënë shtesë, kurse asaj i mbetet edhe një ditë afat për ta kryer këtë detyrim, në rast se nuk i jepet kohë edhe për disa javë deri në takimin e ardhshëm të bordit, gjë e cila nuk përjashtohet nga zyrtarët brenda AKM-së.

Sipas burimeve të sipërpërmendura, shtyrja e mbledhjes së bordit, si dhe nga shtyrja e vendimit për shitjen e Ferronikelit mund të përfitojë kompania shqiptare Adi-Nikel. Sipas këtyre burimeve, nuk përjashtohet mundësia e vazhdimit të afatit për Adi-Nikel, nga sot deri në fund të muajit.

ECIKS / Biznesi