Nga korriku ne vendkalimet kufitare aplikohet "regjimi i regjistrit"

Prishtinë, 22 Qershor 2005 – Administrata e UNMIK-ut njoftoi sot se ka vendosur nje “regjim regjistri” për të gjithë shtetasit e huaj që hyjnë në Kosove. “Rregullorja e re nuk vendos regjimin e vizave, por parashikon vetëm legjitimimin dhe vulosjen e dokumenteve të udhëtimit për shtetasit e huaj që hyjnë në Kosovë”, tha zëdhënësja e Njësisë së Policisë në Departamentin e Drejtësisë, Annamyriam Roccatello. Zëdhënësja sqaroi se shtetasit e huaj që hyjnë në Kosovë do të pyeten nga policia në kufi lidhur me qëllimin e vizitës së tyre. “Të gjithë atyre që do hyjnë në Kosovë, përveç shtetasve të Shqipërisë dhe Maqedonisë, do t’u vuloset dokumenti i udhëtimit. Ndërsa shtetasit e Shqipërisë dhe Maqedonisë, ashtu si punonjësit e institucioneve ndërkombëtare dhe organizatave te huaja, do të mund të pajisen me një dokument, i cili u mundëson hyrjen në Kosovë pa pasur nevojë t’u nënshtrohen procedurave te përcaktuara në rregullore”, shtoi ajo. Ne bazë të kësaj rregulloreje, që hyn në fuqi me 1 Korrik, shtetasit e Serbisë dhe Malit të Zi, që nuk janë banorë të përhershëm të Kosovës, do t’i nënshtrohen kontrollit dhe verifikimit kur hyjnë në Kosovë.

ECIKS / BalkanWeb