FMN: Shqipëria ka thithur vetëm 22 % të investimeve

Tiranë, 23 qershor 2005 – Një raport i publikuar së fundi nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) nxjerr se Shqipëria ka potencial për të thithur 3,3 miliardë dollarë investime të huaja direkte, ndërkohë që deri në fund të vitit 2003 ajo ka thithur vetëm 1 miliard. Në investimet e huaja direkte raporti nuk ka përshirë privatizimet e ndërmarrjeve strategjike. Raporti ka listuar të gjitha vendet e Evropës Lindore dhe Juglindore, 14 në total, dhe Shqipëria lë prapa vetëm Bosnjë Hercegovinën dhe Moldavinë. Shqipëria ka një boshllëk prej 68% në thithjen e këtyre investimeve. Llogaritjet janë bërë në bazë të disa variablave që përfshijnë treguesit e liberalizimit të tregtisë, treguesit e reformave në infrastrukturë në kursin e këmbimit, krahut të lirë të fuqisë punëtore, nivelin e përgjithshëm të taksave, si dhe nivelin e taksës mbi korporatën. Moldavia ka një potencial për të thithur 3,2 miliardë dollarë, ndërkohë që ka përftuar vetëm 742 milionë, ose 77 për qind të pashfrytëzuar të kapacitetit. Bosnje dhe Hercegovina ka një potencial shumë më të madh se Shqipëria me rreth 6,8 miliardë dollarë, ndërkohë që ka thithur vetëm 1 miliard. Në krye të listës si shfrytëzuesi më i mirë i potencialeve për thithjen e investimeve të huaja direkte renditet Hungaria, e cila nga 384 miliardë dollarë ka tërhequr 31,5. Ajo ndiqet nga Bullgaria, e cila nga 2,7 miliardë ka thithur 2,06 miliardë. “Boshllëku midis potencialit të thithjes së IHD-ve dhe asaj që në të vërtetë është tërhequr është më i vogël në vendet e Evropës Qendrore dhe ato Baltike, si dhe, në mënyrë të habitshme, në Rumani dhe Bullgari. Kjo përqindje është mbi 50 për Poloninë dhe Serbi Malin e Zi. Ndërkohë që vlera aktuale është sa 1/3 e potencialit të vlerës së investimeve në vende si Shqipëria, Bosnjë Hercegovina dhe Moldavia. Këto shtete duhet të bëjnë më tepër për të vënë në udhë të mbarë politikat e tyre”, – thuhet në raport.

ECIKS / Shekulli