Tiranë, 14 Nëntor 2003 – Shpallet në dhjetor kompania fituese që do të ndërtojë terminalin e ri të pasagjerëve në aeroportin e Rinasit.
Kompania konsulente “Deloitte and Touche” së bashku me komisionin e vlerësimit të ofertave, do të kualifikojë gjatë muajit të ardhshëm kompaninë fituese të tenderit për ndërtimin e terminalit të ri të pasagjerëve dhe të gjithë infrastrukturës aeroportuale, të Rinasit.
Burime pranë Aviacionit Civil Shqiptar pohojnë se përzgjedhja e kompanisë fituese për ndërtimin e terminalit të aeroportit “Nënë Tereza” ishte parashikuar të zhvillohej në 12 nëntor, por kompanitë e përzgjedhura nga faza e dytë, kanë kërkuar më tepër kohë për përgatitjen e dokumentacionit përkatës. Hapja e dokumenteve të katër kompanive pjesëmarrëse në këtë tender do të zhvillohet në datën 5 dhjetor, datë në të cilën do të përzgjidhet edhe kompania fituese që do të fitojë tenderin për ndërtimin e këtij terminali dhe të gjithë infrastrukturës së aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”. Në fazën e parë u pranuan dokumentet e 16 kompanive të përfaqësuara në 9 grupe. Në fazën e dytë anëtarët e komisionit të tenderit për dhënien me koncesion të aeroportit “Nënë Tereza” përzgjodhën 4 kompani, të cilat janë VAK (Vinçi, ADP, Al Karafi), HOCHTIEF, TEPE-AFKEN dhe Konsorciumi (Sea Milano, Aeroporti Palermo, Aeroporti Fruly, Venecia Xhulia). Kompanitë e përzgjedhura në fazën e dytë duhet të dorëzojnë dokumentacionin përkatës për fitimin e tenderit brenda muajit nëntor të këtij viti dhe më pas do të bëhet dhe përzgjedhja e kompanisë fituese për dhënien me koncesion të aeroportit të Rinasit.
ECIKS / SHEKULLI